Përfundon numërimi i votave në të gjitha vendvotimet në Kosovë, fitore historike e Vetëvendosjes

16 Shkurt 2021, 07:38| Përditesimi: 16 Shkurt 2021, 12:55

  • Share

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fiton bindshëm zgjedhjet e14 shkurtit, ku me përfundimin e numërimit të votave në të gjitha vendvotimet e Kosovës, subjekti fitues, ka marrë 47,86% të votave, duke u bërë kështu partia e parë pas shpalljes së pavarësisë që merr këtë rezultat të lartë.

378.550 qytetarë votuan pro qeverisë Kurti, nga 791.288 votues që u paraqitën për të votuar. Nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 Vetëvendosje shënoi një rritje prej pothuajse 20% të votave, nga 26% që i kishte më parë, duke treguar edhe njëherë mbështetjen e madhe të qytetarëve .

Megjithatë është ende e paqartë se me cilat forca politike do të bashkëpunojë Kurti për të krijuar qeverinë e re, në një kohë kur Ramush Haradinaj ka shprehur gatishmërinë e tij për të mbështetur Kurtin dhe të qenit pjesë e koalicionit të ri. Dhe në anën tjetër ka ende shpresë për mbështetje nga Lista Serbe.

Pas kësaj partie, vendin e dytë e zë PDK, me 17,41%. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 17.41 për qind, e cila u drejtua në zgjedhje nga Enver Hoxhaj kryetari i ri i kësaj force politike, e goditur rëndë moralisht nga arrestime dhe akuzimi për krime lufte i ish-kryetarit Kadri Veseli dhe liderit shpirtëror të partisë Hashim Thaçi. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara e kaluara partia ka marrë pothuajse 50 000 vota më pak, edhe pse arriti të renditet si forcë e dytë.

Në vendin e tretë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 % të votave, duke shënuar edhe humbjen më të thellë të partisë që nga krijimi i saj. Në raport me zgjedhjet e kaluara partia ka rënë nga 24 % deri në 13, duke shkaktuar edhe një krizë institucionale të brendshme.

Pas humbjes së thellë që ka pësuar, Isa Mustafa dje ka dorëzuar dorëheqjen para strukturave të partisë. Teksa ka folur për mediet Mustafa ka deklaruar se nuk e priste rezultatin e dobët në zgjedhje, ndërsa shtoi se LDK së shpejti do të ketë kryetarin e saj të ri, dhe do të mobilizohet për t’u rikthyer fuqishëm. Pas dorëheqjes së Mustafës, tashmë edhe kryesia e LDK në bllok ka paraqitur dorëheqjen. Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i LDK Lutfi Haziri.

Pastaj Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.43 për qind dhe Nisma Socialdemokrate me 2.60 për qind, e cila nuk kalon dot pragun zgjedhor. Ndërkohë që për komunitetet Lista serbe ka deklaruar fitoren e 10 mandateve të saj. Votat me postë, ato me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara nuk janë numëruar ende.

Ekipi i Report Tv prej 2 ditësh ndodhet në Kosovë, për të ndjekur hap pas hapi procesin zgjedhor e për të raportuar mbi informacionet më të fundit minutë pas minute. Në këto zgjedhje kanë garuar 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Të drejtë vote kanë pasur 1,794,862 qytetarë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?