Kadilli: Ka anëtarë të Rithemelimit që duan largimin e Berishës, nuk kanë kurajo ta thonë! Bejko: Në fushatë, jam penguar nga disa figura të PD-së

18 Maj 2023, 21:41| Përditesimi: 19 Maj 2023, 07:16

  • Share

Humbja e thellë e opozitës në zgjedhjet vendore të 14 majit, ka sjellë debate të shumta mbi ekzistencën e vetë PD-së. Pas tërheqjes së Alibeajt nga kreu i partisë, kërkohet edhe mbajtja e përgjegjësisë nga ana e Berishës. 

Për këtë, ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Fatbardh Kadilli i ftuar në studion e emisionit ‘Real Story’ me Sokoll Ballën, u shpreh se anëtarë të Rithemelimit në rrethe të ndryshme të vendit duan që Berisha të dorëhiqet por nuk kanë kurajon e duhur për t’ja thënë diçka të tillë. Ndërsa lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e 14 majit, Kadilli tha se ky është një mesazh edhe për kryeministrin Edi Rama.

"Si tek PD si tek Rithemelimi pjesa dërrmuese janë burokratë politikë. Tek Rithemelimi presin se çfarë do thotë doktori. Unë kam takuar një pjesë të tyre që mendojnë se Berisha duhet të ikë por nuk e thonë këtë. Sot kam pasur kontakte me disa rrethe të pjesës së Rithemelimit, janë të gjithë gati të mbyllin ‘dyqanin’ edhe pse nuk kanë kurajo ta thonë. Për herë të parë kam parë që mitingjet e Ramës ishin më të mëdha se ato të Berishës. Bojkoti i qytetarëve  i jep një mesazh edhe Edi Ramës”- tha Kadilli.

Nga ana tjetër, Roland Bejko i cili kandidoi për kreun e bashkisë së Tiranës nën siglën e PD-së tha se gjatë fushatës elektorale, e kishte shqetësuar çorientimi që kanë pasur deputetë të PD-së zyrtare, si Tabaku që sipas tij nuk ka dhënë asnjë ndihmë për fushatën.

"Momenti që na i çorientoi mbështetësit kanë qenë trazirat e disa figurave të PD-së që nuk kishin pozicionin e vetë në parti.  I vetmi stres që kam patur në fushatë elektorale, kanë qenë këta. Më kanë stresuar dhe penguar që të sahkoja në zona të caktuara të Tiranës. Nuk kanë zhvilluar asnjë takim, janë njerëz të vegjël merren me çikërrima”- shtoi Bejko.

Ndërsa analisti, Edvin Kulluri tha se PD-së i mungon një elitë politike për ta nxjerrë partinë nga situata ku është. Ai shtoi se funksionarët aktualë e shohin politikën si biznes dhe si mundësi për vend pune si deputet dhe nuk kanë asnjë vizion.

“PD-së i mungon një elitë politike e denjë për të qenë elitë politike. Këta janë njerëz që politikën e shohin si biznes jo si mision. Kanë hyrë për një rrogë deputeti dhe kjo tregon se janë aq mediokër. Këta i prodhon sistemi patriarkal i PD-së”- argumentoi Kulluri.

Gjatë diskutimeve në studio, Bejko tha se do të propozonte një platformë para kryesisë së PD-së sesi partia duhet të reformohet dhe të mbledhë të gjitha forcat opozitare për të qenë alternativë bindëse për qeverisjen e vendit.

Në zgjedhjet e 14 majit, përkundër pritshmërive dhe deklaratave të Berishës dhe Metës, koalicioni i tyre “Bashkë Fitojmë” arriti të marrë vetëm 7 bashki në total, duke humbur edhe bastionet historike të së djathtës, si Shkodra dhe Tropoja. Po ashtu edhe PD zyrtare që kishte 14 kandidatë në këto zgjedhje, nuk arriti të fitonte asnjë bashki, ndërsa në Tiranë, kandidati Roland Bejko u rendit i katërti me votat e siguruara. Pas kësaj humbje, kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj është dorëhequr nga posti i tij, duke bërë thirrje për një riorganizim të partisë. Ndërsa Sali Berisha nuk pranoi përgjegjësinë e tij për humbjen, duke nxjerrë pretendimet e tij mbi manipulimin e zgjedhjeve.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?