Politikë

Kadilli: PD në gjendje mjerane, profetë që dalin sharlatanë! Berisha duhet të hapë krahun, e mbështesin vetëm fanatikët ekstremë!

2 Qershor, 18:02| Përditesimi: 2 Qershor, 20:41

  • Share

A ishte 11 maji farsë elektorale siç po pretendon Partia Demokratike apo kjo është një alibi nga ana e kreut të saj Sali Berisha për të tërhequr vëmendjen nga humbja e thellë që mori aleanca që drejtonte, si një nga humbjet historike të së djathtës, por edhe faktit se gjendet edhe në përballje me drejtësinë për aferën e dosjes “Partizani”.

Për të trajtuar situatën politike në vend pas zgjedhjeve, ishte i ftuar ish-deputeti demokrat Fatbardh Badilli, i cili bëri analizën e tij në “Studio Live” të moderatorit Arbër Hitaj, në Report Tv, duke renditur disa nga shkaqet pse opozita humbi, pse Berisha po konteston rezultatin dhe arsyet e sulmit ndaj drejtësisë.

“Më tepër ka paragjykime dhe mendësime brenda njëri-tjetrit sesa sfidë politike. Ajo çfarë është sot PD është një amalgamë në struktura, jo e natyrshme, e besnikëve dhe fanatikëve të Berishës, disa që bënë llogaritë e tyre që u përputhën me të Berishës dhe një grup tjetër që bënë marrëveshje me Berishën pas një lufte 2-vjeçare të ashpër politike. Kanë backgroundin e tyre të dallueshëm nga Berisha e do vazhdojnë, por problemi që shoh është fanatizmi ekstrem ndaj zotit Berisha e nuk është vetëm postimi i avokatit Gjokutaj. Mua më ndodhi para 4 vitesh kur garova për PD-në, më risollën atë të 2021 tani më 2025 gjatë fushatës. Disa shfaqin simpatinë dhe disa të tjerë kërkojnë të gjejnë spiunët”, tha Kadilli për situatën brenda demokratëve, ku flitet edhe për një “luftë të brendshme” në nisje.

Por ai kritikoi hapur edhe mbështetësit demokratë, që e shohin Berishën si profet, ndërkohë që theksoi se PD nuk ka nevojë për situatën mjerane ku ndodhet dhe ku profetët sillen si sharlatanë.

“Ata nuk kanë guxim të mendojnë një PD pa Berishën, presin si çoban me delet, që të jenë pas çobanit të tyre, ata e quajnë tradhti të mendosh ndryshe nga kryetari. Ky është nivel mjeran, të katandisesh kështu pas kaq vitesh është mjerim. Ose zgjedh profetin e ardhshëm, ose je sharlatan, por unë nuk besoj se Berisha është profet, por ka njerëz që zgjedhin sharlatanë dhe profetë që dalin sharlatanë”, u shpreh ish-deputeti.

Ai e cilësoi sistemin dhe mekanizmin e numërimit të votës si të dështuar nga dy partitë e mëdha që kanë interesat personale, duke bërë edhe marrëveshje. Ngjarjet e fundit, ku deputetë nga të dy krahët kërkuan rinumërimin e votave preferenciale dhe pengimin e tyre nga PS dhe PD, treguan këtë dështim.

“Ne nuk kemi turp të fusim votën në kuti dhe të vjedhim njëri-tjetrin. Mbaj mend se ka pasur ankesa brenda PD-së, edhe në Tiranë kur u bënë primaret, pati edhe në raste të tjera dhe ndodh që i lejojnë vetes edhe deformim politik. Ndodh në parlament, ndodh edhe brenda një partie. PD-PS pranuan se sistemi dhe mekanizmi i numërimit të votave është i dështuar. Të dyja partitë vendosën të mos e turpërojnë veten me sjelljen e përfaqësuesve të tyre në komisione. Rrallherë pranojnë se i bëjnë gjërat bashkë, por ja që i bëkan bashkë me numëruesit. Kjo ndodh me kandidatët e preferuar. Për sa kohë zgjedhjet menaxhohen nga përfaqësues të partive politike në komisione, do kemi zgjedhje ashtu siç bëhen në Shqipëri”, analizoi ish-kandidati për kreun e PD-së.

Madje sipas Kadillit, edhe Rama ndoqi të njëjtën linjë ndaj kandidatëve ankues:

“Rama i kërcënoi kandidatët e tij, duke mos i lejuar të kërkonin rinumërimi, Berisha bën sikur i lejon dhe nga ana tjetër i bllokon ata për rinumërim. Pra nuk mund të kemi zgjedhje në Shqipëri me standard civil dhe europian, për sa kohë ia lëmë militantëve politikë, sepse ata presin vendin e punës. Edhe pala tjetër mbron vendin e punës. Pra ka përplasje joligjore, joetike dhe politike”.

 

Kadilli nënvizoi se ai nuk është larguar kurrë nga PD dhe as do e bëjë, duke vijuar të japi kontributin e tij duke thënë të vërtetat. Ish-deputeti e tha qartë se Berisha duhet të largohet nga drejtimi i PD-së dhe të vijojë të japi kontribut në Parlament.

“Unë vazhdoj sistematikisht të jap kontribut, edhe duke i thënë drejtpërdrejtë të vërtetat dhe kritikat, nëse nuk pranojnë nëpërmjet forumeve, e bëj në publik. Kurrë s’jam shkëputur nga PD për të shkuar në parti tjetër. PD i ka mjetet, votuesit dhe memorien kolektive, që do kërkojnë rrugë të reja. Ne duhet të ndryshojmë me statut dhe mendësi, kryetari humbës ikën. Siç duhet të ikte Basha, duhet të iki dhe Berisha. Berisha e provoi shansin disa herë, tani duhet të hapë krahun. Nuk mund ta vazhdojë Berisha si ushtar në betejë në parlament, duhet të rrijë patjetër në krye. Vjedhja e votave nuk është alibi, tha se do ia zinte në fyt, humbje turpëruese për çdo demokrat, 20 pikë, ka nevojë për ekip të ri, me iniciativë, të rinj, të respektohet statuti. Ku janë Primaret? Votuan demokratët dhe vendosi Berisha”, tha ai për Report Tv.

Kadilli ndau mendimin se Basha nuk ishte kryetar i lirë për të vendosur, por që ‘tërhiqej prej veshit’ nga Berisha dhe kjo u kuptua që në vitin 2015.

“Berisha nuk ka reflektim, forumet nuk guxojnë as të ngrenë zërin, baza e partisë, unë jam i bindur se PD-së do i largohet edhe baza e kësaj partie. Rrezikon që shumë shpejt të jetë pa strukturë, madje edhe këtë herë rrezikoi të mos gjente dot komisionerët. Në 2015 demokratët kuptuan se Basha tërhiqej prej veshi nga Berisha. Dhe prej kësaj kohe ka pasur vetëm betejë Rama-Berisha. Unë mendoj se asnjë atje nuk ka guxim që t’i dalë Berishës përballë, nuk bën më ai eksperiment te partia si me Bashën. Nuk do ketë kryetar të ri PD-ja. Edhe nëse ai vendos një ditë, ata do jenë kopje e shëmtuar e Bashës”, u shpreh ish-deputeti në mbyllje të analizës së tij.

Ora 18:14
Hoxha për ‘Studio Live’: PD-së s’i intereson rinumërimi sepse votat brenda partisë janë deleguar! Berisha s'ia lë askujt partinë, ka betejë me drejtësinë

 

Poli Hoxha, sot në 'Studio Live'

Gazetari Poli Hoxha mendon se Sali Berisha nuk ka më hallin se mos i marrin partinë, por se si të përballet me drejtësinë, pas caktimit edhe të treshes gjykuese për aferën e dosjes “Partizani” ditën e sotme.

Ai nuk sheh garë brenda PD-së më dhe as emra që mund të guxojnë t’i dalin përballë për t’i marrë selinë blu. I ftuar në ‘Studio Live’ të Report Tv, ai u shpreh se edhe ata pak kritikë që i dalin PD-së, marrin një reagim tepër agresiv dhe shtypen, kurse refuzimi për rinumërimin e votave brenda partisë të kandidatëve është një tjetër shenjë.

“Berisha do vazhdojë betejën e tij me Drejtësinë. Sot është caktuar edhe trupa gjykuese dhe tani ai nuk ka më hallin e partisë, por të betejës me drejtësinë. Nuk mendoj se do ketë luftë të brendshme në PD. Këta nuk i lënë zërat kundër dhe as nuk ka të tillë. Edhe kur del ndonjë i tillë që do të qajë humbjen, si rasti i Ilir Vrenozit, “heroit të demokratëve” gjatë fushatës, të cilit iu vërsulën kur tha se donte të qante për humbjen. Po kështu edhe Nard Ndokës me statusin ku shprehej se duhej parë brenda lidershipit shkaku i humbjes”, tha Hoxha.

Gazetari shprehet se Berisha dhe PD nuk kanë beteja parimore për vjedhjen e zgjedhjeve, sepse nëse kishin ankesa për ato që pretendojnë, do i kishin bërë që para votimeve.

“Nëse PD kishte interes për ato që pretendon, do ankohej para zgjedhjeve, sepse OSBE-ODIHR i kishte përfshirë në raport dhe këta mbyllën listat së bashku dhe heshtën. Kurse tani ankohen. Unë nuk e di se pse bëhen këto statuse për luftë apo përplasje të brendshme, por mendoj se janë sinjal dhe mesazh ndaj kritikëve. Kryetari te PD është partia. Mendoj se askush nuk mund të ngrihet për analizë dhe kritikë atje, pasi edhe Gazment Bardhi nuk u zgjodh me garë nënkryetar dhe po kështu Agron Gjekmarkaj, pra nuk kanë tagrin të kërkojnë analizë forumesh”, u shpreh ai për Report Tv.

Për të, PD është kthyer në një bunker ku Berisha ka mision përballjen me drejtësinë. Gjithashtu PD sipas tij nuk ka interes që të kërkojë rinumërimin e votave brenda partisë.

“Edhe Berisha nuk thotë më jam kryetar i PD, por se është me mision. PD është një bunker ku  vendos vetëm ai, Berisha është kryetar dhe askush nuk guxon ta kritikojë. Berisha edhe po të kandidojë prapë në shtator për PD e fiton.  Para zgjedhjeve të 11 majit janë dhënë 63 leje ndërtimi enturazhit të PD-së dhe drejtuesve të saj. Tani të dy palët nuk duan të hapin kutitë, sepse ka ndodhur vota e deleguar, pra me Partinë secili bën çfarë duan. Këta janë bashkë, e kjo buron që te Kodi Zgjedhor. PD nuk e do rinumërimin e votave brenda partisë, sepse edhe aty janë deleguar votat”, analizon ai situatën brenda opozitës.

Por a do largohet Berisha nga partia?

“Unë mendoj se Berisha nuk do ia lërë askujt nga këtyre që përfliten partinë. Nuk ia lë sepse kjo është e rrezikshme. Unë mendoj se Berishizmi do vazhdojë, nuk do ketë kryetar të ri të PD-së, pasi Berisha ka betejën me drejtësinë. Edhe nëse ka emra për kryetar në atë parti, ku mund të japim disa, do jenë emra të një ushtrie të vdekur. Kurse Rama e ka opozitën me telekomandë, por mund t’i kthehet në problem. Rama nuk ka rival”, argumentoi gazetari për ‘Studio Live’.

 

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?