Pjesa e Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”.
Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh.
Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU RITA MARKO: Ke ke denoncuar ti nga këta armiq? Asnjë! Prandaj edhe ne të kërkojmë llogari ty dhe duhet të na përgjigjesh, se ju, kur ju erdhi puna në shteg, edhe në proceset, edhe ne dokumentet që ne nuk i dinim, por që dëgjuam për disa veprime shumë të rëndësishme, i ke manipuluar ti porceset, por dhe t’i kanë manipuluar.
Në procesin e Teme Sejkos, doli që Panajot Plaku ishte agjent i amerikanëve dhe sovjetikëve. Atëhere del pyetja: Pse ju në dhjetor të vitit 1959, i dërgoni Sigurimit sovjetik gjithë ato materiale, 26 dokumente sekret të një karakteri shumë të madh dhe mbani njëlloj lidhjet, si më parë me Sigurimin sovjetik, deri në vitin 1961? Kështu ke punuar ti si ministër i Punëve të Brendshme? Po analizat që janë bërë herë pas here në Byronë Politike dhe në Komitetin Qendror për, mosmarrëveshjet që ne kishim me Hrushovianët, i ke mbajtur parasysh, apo jo?
Nuk mjafton që në analizën që i bën ti kësaj veprimtarie armiqësore, të na thuash se më ka lënë kujtesa, këtu duhen fakte dhe vendime. Tërë puna jote dhe metoda që ke ndjekur, duhet të rishikohet nga ty me një sy kritik, se i ke sjell një dëm shumë të madh Partisë. Ti duhet ta analizosh deri në rrënjë këtë veprimtari, por nga sa shihet këtu, ju nuk po e bëni, se keni frikë. Për ne, qëndrimi juaj është i pakuptueshëm dhe shumë i avashëm!
Duhet të analizosh dhe të japësh të dhëna se, edhe pasi është larguar Mehmet Shehu nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme, bashkë me vartësit e tu kryesorë, keni vazhduar të mbani lidhje të ngushta me të, e keni quajtur atë si “usta” në punët e Sigurimit dhe ty të ka ardhur mirë që çdo gjë që bisedoje më parë me Mehmet Shehun, duke u përpjekur që të kishe më parë mendimin e tij. Me këto veprime ty të ka pëlqyer të ishe nën kontrollin e tij, prandaj ai të mbante shumë pranë, gjë që u ka rënë në sy të gjithëve.
Mehmet Shehu dhe Feçor Shehu, kur kini bërë në ministri analizën lidhur me grupin armiqësor të Beqir Ballukut, Abdyl Këllezit, etj., të kanë thënë që të mos nxije punën e Sigurimit të Shtetit, ndërsa Hysniu është treguar më objektiv. Kështu shkruan ti në autokritikë. Kujt i bërë të njohur ti këtë, se këtu kemi vlerësime të ndryshme, për një analizë të rëndësishme dhe shumë të madhe nga anëtarët e Byrosë Politike. Më poshtë thua se, kur u bë Fecor Shehu ministër, Mehmet Shehu ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka bërë gjë për një kohë shumë të gjatë, nuk e di sa del atje, po ai llogarit nja 18 vjet. Me kë i ke biseduar ti këto, duke marrë parasysh se Mehmet Shehu ty të doli dy herë me mendime të kundërta?
Në autokritikë thua gjithashtu se ke miratuar qëndrime të tilla, dhe bile në raste të veçanta ju ke kundërvënë dhe vazhdon më tutje se një gabim në punën tënde, ti ke parë edhe te mungesa e vendosmërisë për të ngritur kudo dhe kurdoherë çështje, se ke patur mendime të ndryshme për shumë probleme të Sigurimit, si për vjedhje, për zbulim sabotimesh, për penetrim njerëzish pa garanci në punë të ndryshme, për organizimin e kufirit, etj., por në autokritikë thekson se, nuk ke mundur të bësh lidhjen e duhur dhe si të ka mashtruar! Mirëpo, Partia të kishte vënë ty në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme që, të mos mashtroheshe dhe të bëje lidhjen e gjithë këtyre çështjeve.
Tani shtrohet pyetja, se me tërë këto probleme të mëdha që kanë të bëjnë me detyrat kryesore të Ministrinë së Punëve të Brendshme, ti je ndeshur, siç thua vetë në autokritikë, megjithatë, pse nuk i ke ngritur në Parti te shoku Enver?! Jo, këtu nuk je i sinqertë, Kadri! Apo mos i ke ngritur këto në aparat, në Drejtorinë Administrative, edhe tek unë? Jo, as këtu, prandaj gjithashtu edhe këtu nuk je i sinqertë, prandaj duhet të hapesh përpara Partisë, të nxjerrësh përgjegjësinë tënde kryesore të rëndë, ku dhe si u krijua opinion në Komitetin Qendror dhe në Byronë Politike, që për veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, ju sollët fakte të shumta?
Së pari, ju duke qenë ministër i Punëve të Brendshme, gjë të cilën e vunë në dukje edhe shokët, nuk treguat veçse disa gjëra pa rëndësi, që u binin në sy të gjithëve për të deri edhe për punën e rojeve për të cilët të kish folur Feti Smokthina 20 vjet përpara. Po pse kjo ishte detyra jote? Së dyti, ti fole këtu për disa çështje të cilat t’i kish treguar Feçor Shehu. Në të kundërtën, për mungesën tënde të vigjilencës, ata ia lehtësonin punën Feçor Shehut. Ti na the këtu se ai është agjent, mirëpo për këtë më shumë se kushdo, ti duhej të na sillje fakte dhe dokumente që kanë pas dalë përpara në procese dhe për të cilat ke qenë në dijeni, siç dolën e dhe sot, duke vënë në dukje, që emri i tij kish dalë këtu apo atje.
Solle ti ndonjë fakt për të? Jo, këtë s’e bëre, por e bëri Partia, e bëri shoku Enver. Na tregove gjë ti që në këtë apo atë proces ka dalë kjo apo ajo çështje për Mehmet Shehun? Jo. Atëhere si është e mundur që ti, që ke një jetë të tërë në krye të organeve të Sigurimit të Shtetit dhe ky apo ata të tjerët që kanë qenë agjent, nuk të dolën ty ndonjëherë në shteg?! I ke drejtuar ti punët në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit, apo i kanë drejtuar këta armiq dhe ti ke qenë sa për emër ministër? Jo, ne nuk të njohim ty për të tillë. Pra, ju nuk dhatë asgjë të rëndësishme dhe esenciale, kur u analizua puna e këtij armiku të madh dhe as tani në autokritikë, nuk i thoni gjë me vlerë Partisë? Ty të thirri shoku Enver dhe të vuri në dijeni me hollësi për këtë agjenturë të vjetër të Mehmet Shehut dhe për veprimtarinë e saj dhe me mendjelehtësi na thua se Mehmet Shehu, s’mund të ketë tjetër bashkëpunëtor përveç Feçor Shehut?!
Të lejohet ty, një punonjës i vjetër dhe kryesor i Sigurimit të Shtetit, ta konceptosh këtë? Po pse, Mehmet Shehu vetëm me Feçor Shehun do ta realizonte planet e tij kaq të errëta që të përmbyste pushtetin popullor?! Të lejohet ty ta shprehësh në autokritikë kështu, pa i bërë një analizë tepër të thellë këtij mendimi? Në autokritikë, thua se një nga arsyet që nuk e ke zbuluar veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, është se nuk ke bërë edukimin e punonjësve të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, etj., etj., se në këtë dobësi ka ndikuar presioni i armiqve që të rrethonin dhe atyre që drejtonin operativisht Ministrinë e Punëve të Brendshme, si Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku? Po ti, ç’bëje? Si e drejtoje Ministrinë e Punëve të Brendshme? Partia ka forca mendoj unë, ta sqarojë, çështjen deri në fund, dhe mungesa e Hysni Kapos, nuk vështirëson asgjë që ka lidhje me ty.
Ti nuk mund ta ngatërrosh fare Hysni Kapon dhe përpjekja që bën, për t’ia kaluar përgjegjësinë sekretarit të Komitetit Qendror që merrej me kuadrin, se nuk ka ndihmuar për të zbuluar veprimet e këtyre armiqve, bëhet me qëllim të keq. Duke analizuar tërë këtë punë armiqësore të zhvilluar nga këta agjentë, nën dritën e fjalimit të shokut Enver, përgjegjësi ka çdo anëtar partie, aq më tepër kanë ata kuadro që kanë bërë punë partie kudo dhe në Komitetin Qendror, një nga të cilët jam edhe unë. Ajo që të kërkohet ty, është që të nxjerrësh dhe të sqarosh se këta bashkëpunëtorë, nuk t’i solli njeri, por i ke pasur vetë në ministri, ke punuar vazhdimisht me ta, i ke drejtuar operativisht, u ke ngarkuar me detyra dhe të kanë raportuar.
Ti ke bashkëpunuar dhe jetuar me ta, prandaj të dilte detyrë t’i kontrolloje veprimtarinë e tyre. Pra, përgjegjësia është e drejtpërdrejtë, ti nuk mund t’i largohesh asaj. Në analizë të fundit, duhet të ishe vetë ti, që të vije në Komitetin Qendror të Partisë të raportoje për dobësitë e tyre, të tregoje se si punonin këta. Përkundrazi, ti asgjë nuk i ke thënë Partisë, por ua ke zvogëluar apo ua ke mbuluar të metat bashkëpunëtorëve të t’u, ke bërë kështu një punë të mbyllur, për të cilën vazhdimisht je kritikuar. Mos do të na bësh ne përgjegjës për punën tënde? Ju thoni se Sigurimit sovjetik, i keni dhënë çdo gjë se kështu paskësh qenë edhe më parë praktika me të, prandaj kështu keni vepruar më pas edhe ju. Mirëpo, për këtë praktikë ju nuk kini asnjë vendim, që ta justifikoni.
Mosmarrëveshjet që filluan me Hrushovianët që nga viti 1954, siç shkruan shoku Enver te libri “Hrushovianët”, Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Konferenca e Tiranës, rehabilitimi i Titos nga Hrushovi, komploti i Teme Sejkos, arratisja e Panajot Plakut dhe analiza përkatëse që ka bërë Partia për këto ngjarje, nuk të bënë ty një çikë përshtypje ty të mendosh për agjenturën që u ke dhënë sovjetikëve dhe për të parë tërë marrëdhëniet tona me ta?! Duke i dhënë Sigurimit sovjetik gjithë këtë agjenturë, ti u kishte dhënë atyre dhe objektin e kësaj agjenture, që qe akoma më e rëndë. Po për akuzën që iu Partisë tonë në vitin 1953, pas vdekjes së Stalinit nga Beria dhe nga Suslovi, sipas së cilës, në Ushtri ne kishim kuadro të pasigurt, djem bejlerësh, siç iu tha prej tyre shokut Enver, nuk mendove një çikë ti? Të dhënat atyre ua kishe dhenë ti dhe Mehmet Shehu se ti ke qenë në atë kohë zëvendësministër i parë, kur ishte ai ministër i Punëve të Brendshme.
Në autokritikë thua tani, se ke fakte që mund t’i dinë shokët e Komitetit Qendror. Atëhere, kur është kështu sipas teje, në materialin që i ke dërguar Hysni Kapos në vitin 1975, pse nuk thua se këtë gjë ia kam relatuar Komitetit Qendror me shkresë ose me gojë? Po edhe kjo është një përpjekje e kotë Kadri Hazbiu, për të lehtësuar vetën, për t’i shpëtuar përgjegjësisë. Unë dua të bëj të njohur këtu, se me ish – Drejtorinë Administrative jam marrë që nga fillimi i vitit 1951, e deri nga mesi i vitit 1957, kohë kur u dërgova në shkollë në Bashkimin Sovjetik. E siguroj Byronë Politike, se për këto veprime, as kam ditur dhe as më ka thënë njeri, se ne u kemi dhënë agjenturë, organeve të Sigurimit Sovjetik, ose qenë krijuar me këto marrëdhënie ose ato marrëdhënie në këtë fushë. Dua të theksoj se mua nuk më është biseduar asnjëherë për ndërtime agjenture dhe për Kundërzbulim. Këtë unë as që e kërkoja, pse e dija mirë që nuk më takonte, duke menduar se këto ishin punët e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë, të Këshillit të Mbrojtjes.
Dua të vë gjithashtu në dukje se për një kohë, unë isha vërtet Sekretar i Komitetit Qendror, por isha kandidat i Komitetit Qendror të Partisë. Çdo detyrë që më është ngarkuar në atë kohë në këtë fushë, jam përpjekur ta kryej brenda kompetencave që më takonin, në bazë të porosive dhe mësimeve të shokut Enver. Në autokritikë, ti Kadri, thua se Sigurimin e ke parë dhe e ke drejtuar me shqetësim. Po të jetë kështu, si shpjegohet që e ke drejtuar kaq keq, duke mos zbuluar dot veprimtarinë armiqësore të këtyre kuadrove që kanë qenë ndihmësit e tu, po i ke lënë që të bëjnë si të duan! Që rrethove udhëheqjen e Partisë me tërë këta gjarpërinj, siç thotë shoku Enver në material. Ti na thua se po ta dije se Feçor Shehu dhe Mihallaq Ziçishti ishin me moral të dobët, do të kishte ndihmuar në zbulimin e tyre. Po ti punoje dhe rrije ditë për ditë me këta njerëz në një familjaritet të sëmurë. Nga kush e kërkon ti këtë “ndihmë”? Ti vetë, çke bërë? Nga i pritje të dhënat? Në vend që t’i ti jepje të dhëna Partisë, tërthorazi, i kërkon llogari!
Ti Kadri, dokumentet nga më të rëndësishmet të shtetit tonë, ia dërgove në dhjetor të vitit 1959, Sigurimit sovjetik, po nuk e dije ti deri në këtë kohë se ç’kishte ngritur Hrushovi kundër Partisë sonë? Ne bëmë një mbledhje të veçantë të plenumit të Komitetit Qendror të Partisë atëhere, për të dënuar çështjen e jugosllavëve, se në këtë kohë edhe shoku Enver botoi një artikull e të tëra ato, pastaj nuk e dije ti se çfarë ngriti Hrushovi për Panajot Plakun dhe Liri Gegën dhe tani na vjen dhe na thua këtu se janë dërguar pa dijeninë tënde?! Ju keni vepruar në dëm të interesave të shtetit tonë, duke u dhënë sovjetikëve sekrete nga më të mëdhatë që ka shteti ynë për punët e Sigurimit të Shtetit, siç janë Platforma e Sigurimit, direktivat mbi detyrat e organeve të Punëve të Brendshme, instruksione mbi evidencën operative, që është dhe kjo nga më të rëndësishmet, urdhrin Nr. 1 mbi gjeologjinë, listën me njerëz të veçantë, relacionin për Liri Gegën, relacionin për Dhora Lekën, tok edhe me një listë të përbërë prej 50 vetash? Punëtorit Operativ në atë kohë i keni thënë se çdo gjë t’u jepej nga ana e tij sovjetikëve.
Në autokritikë thua se në bazë të disa sondazheve që keni bërë për agjenturën, keni kuptuar se ajo është udhëzuar nga sovjetikët. Si nuk u shqetësove ti për këtë fakt dhe t’ja raportoje Komitetit Qendror të Partisë? Ti na thua se ke punuar ditë e natë në hetuesi, për zbërthimin e veprimtarisë armiqësore të puçistëve, duke shkuar vazhdimisht vetë. Kjo të ngarkon ty me përgjegjësi, akoma më të madhe, se proceset e tyre janë manipuluar, edhe shumë gjëra janë mbuluar. Dokumentet e tjera që dolën këtu, tregojnë se edhe Teme Sejko, që ka qenë shefi Zbulimit në Ushtri, anëtar i Seksionit Politik të Brigadës së Parë, një nga pesë kuadrot e parë që shkuan për studime ushtarake në Bashkimin Sovjetik, e filloi procesin duke nxjerrë, siç thua ti në autokritikën tënde, një rrjet të tërë spiunësh grekë dhe amerikanë, se ai filloi të fliste për Panajot Plakun si agjent i sovjetikëve që kishte hyrë disa herë në Shqipëri si ndërlidhës. Në autokritikë, ti thua se ai nuk foli më dhe se procesi i tij nuk u zbërthye çështja e lidhjeve dhe e veprimeve armiqësore të kryera prej grupit të tij, mbetën pa u zbuluar.
SHOKU ENVER HOXHA: Se po të pres fjalën, po emrin e Arif Haskos, pse nuk e keni vënë, por e latë atë të lirë për një kohë kaq të gjatë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë e di shoku Enver, se kjo çështje është trajtuar.
SHOKU ENVER HOXHA: Arif Haskon, nuk e keni nxjerrë ju?
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë e di që është trajtuar çështja e tij.
SHOKU ENVER HOXHA: Po si është trajtuar kjo çështje.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po është lënë gjithmonë në dysh atëhere.
SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu hë? Po kur u zbulua grupi i Beqir Ballukut, pse nuk dole të thoshe, more këtë Arif Haskon, pa kapeni një çikë, se ka dalë kjo gjë për të?
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë di një gjë, shoku Enver, se atëhere kjo gjë kishte mbetur me pikëpyetje, nëse kishte vajtur te sovjetikët Panajot Plaku, apo të Arif Haskoja. Ne u përpoqëm ta bënim verifikimin e kësaj çështje dhe arritëm në konkluzionin, se ky kishte qenë te këshilltari sovjetik.
SHOKU ENVER HOXHA: Pse nuk i vure në dukje këto të dhëna, apo këtë konkluzion.
SHOKU KADRI HAZBIU: Domethënë, kjo ishte hipotezë e tij.
SHOKU HEKURAN ISAI: Hipoteza e tij? Po pse mos bije në hipotezën që kishte qenë te Arif Haskoja, po te sovjetiku që s’ishte këtu?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, s’ishte sovjetiku këtu, ishte shoku Hekuran në atë kohë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po ne e përzumë sovjetikun në atë kohë. Memorie.al