Kaja Kallas

Bota

Kaja Kallas: Presioni ndaj Ukrainës për të lëshuar territore, kurth i Putinit! Në Alaskë, mori gjithçka që donte

22 Gusht, 10:44| Përditesimi: 22 Gusht, 10:49

  • Share

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka paralajmëruar se çdo përpjekje ndaj Ukrainës për të lëshuar territore në kuadër të një marrëveshje paqeje me Rusinë, është një "kurth" i mirëmenduar i presidentit rus Vladimir Putini. Në një intervistë për BBC, Kallas theksoi se lejimi i Rusisë që të marrë territoret e pushtuara, si Donbasi, do të legjitimonte agresionin. 

Ajo thotë se garancia më e fortë për sigurinë e Ukrainës mbetet një ushtri e fuqishme ukrainase dhe paralajmëroi që garancitë ndërkombëtare nuk duhet të jenë vetëm “në letër”.

Komentet e Kallas vijnë në një kohë kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës evropianë janë përfshirë në bisedime të paqes në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që presidenti Donald Trump ka caktuar një afat dy javor për vlerësimin e përparimit të tyre. 

Sipas Kallas, Trump me samitin që mbajti me Putin në Alaskë, i dha Rusisë gjithçka që kërkonte, përfshirë mungesën e sanksioneve të reja.

"Ai u prit shumë mirë dhe donte që të mos vendoseshin sanksione, gjë që edhe e arriti. Putini thjesht po qesh, jo duke i ndaluar vrasjet, por duke i shtuar ato. Po harrojmë se Rusia nuk ka bërë asnjë lëshim të vetëm.", u shpreh Kallas. 

Zelensky, ndërkohë, ka hedhur dyshime mbi gatishmërinë e Rusisë për paqe, duke thënë se Moska po shmang bisedimet dhe nuk po tregon asnjë sinjal serioz për negociata. Ai ka kërkuar qartësi nga aleatët perëndimorë për garancitë e sigurisë dhe rolin e tyre të ardhshëm në mbështetjen e Ukrainës.

BE pritet të zbatojë së shpejti paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë për të ushtruar presion të mëtejshëm.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?