Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, sheh me shqetësim situatën në Ballkanin Perëndimor. Shqetësimi i saj ishte edhe pjesë e diskutimeve me ministrat e Jashtëm të BE.
Kallas mbajti sot një konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg, ku foli edhe për integrimin sa më shpejtë të Ballkanit perëndimor në BE, përfshirë Shqipërinë, duke marrë shkas nga situata e fundit gjeopolitike në rajon.
Kallas tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e familjes sonë evropiane, ndaj procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm për këtë.
Gjatë konferencës, Kallas shtoi se vendi ynë ka bërë reforma domethënëse. Sipas saj, Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë hapa të rëndësishëm dhe shprehu bindjen se këto dy vende do të jenë histori suksesi në këtë proces.
“Kam takuar kryediplomatët nga Ballkani Perëndimor. Edhe në takimin e ministrave të Jashtëm ne e bëmë të qartë se stabiliteti në këtë rajon është thelbësor. Nëse shikoni hartën, këto vende janë gjeografikisht në Evropë. Ato duhet të jenë pjesë e familjes sonë evropiane, ndaj procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm për këtë. Vëmë re se Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë hapa të rëndësishëm domethenës me reformat integruese. Jam e bindur se këto dy vende do të jenë histori suksesi në këtë proces. Ne duhet të ecim më shpejt drejt anëtarësimit të tyre në BE”, tha shefja e diplomacisë së BE.
Por ajo foli edhe për dialogun Serbi Kosovë dhe çuarjen para të tij, duke paralajmëruar Beogradin për pjesëmarrjen e paradës së 9 majit në Moskë.
“Ne gjithashtu duam të ecim përpara me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shumë prej ministrave deklaruan se çdo pjesëmarrje në paradën e 9 Majit në Moskë do të ishte kundërproduktive për palën serbe”, tha Kaja Kallas.
Sipas zv.presidentes së Komisionit Evropian rritja e tensioneve në BP sjell nevojën që BE të ketë një hap tjetër në procesin e zgjerimit të bllokut.
“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”,-është shprehur Kallas.
Kallas foli përpara takimit të Këshillit për Punë të Jashtme që nisi në Luksemburg këtë të hënë por nuk përmendi shtetet, ku sipas saj po rriten tensionet. Por, së fundmi në Bosnje e Hercegovinë, autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska kanë ndërmarrë disa veprime, që kanë rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për shkëputjen e mundshme të këtij entiteti serb nga Bosnja me Milorad Dodik si protagonistin kryesor (i shpallur non grata nga SHBA, sikurse edhe Sali Berisha), ndaj të cilit është bërë kërkesa edhe për urdhër arrest ndërkombëtar.
Kaja Kallas javën e kaluar zhvilloi një tur në Ballkanin Perëndimor ku vizitoi Malin e Zi, Bosnjen dhe Shqipërinë. Ndërkohë mbrëmjen e së dielës, shefja e politikës së Jashtme europiane priti në një takim informal ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor.
Komente
