Kakavijë-Dy persona janë arrestuar më pikën kufitare të Kakavijës, pasi i janë gjetur në autobus rreth 74 mijë euro dhe 15 dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara.
Në pranga kanë përfunduar drejtuesi i autobusit dhe punonjësi i agjencisë turistike (Andi Lami dhe Kreshnik Gjini), ndërsa do të hetohet në gjendje të lirë drejtuesi tjetër i autobusit i identifikuar si Artur Gjata.
Ndërkohë është shpallur në kërkim pronari i agjencisë së udhëtimit Jorgo Komata, i cili ishte pritësi i shumës së parave.
Blutë bëjnë me dije se shuma e parave u gjet e fshehur në autobus pas kontrolleve me të imtësishëm me qen - 3 zarfe brenda të cilave kishte 74 240 euro dhe 15 dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti të shtetit francez, leje për qëndrim në Greqi dhe në Gjermani).
Paratë, dokumentet false dhe 4 celularë u sekuestruan si provë materiale.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme që kryejnë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kufitare, bazuar në analizën e riskut dhe inteligjencën policore, kanë goditur në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Gjirokastër dhe me autoritetet doganore, një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi dhe një rast të falsifikimit të dokumenteve.
Në dalje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, autobusi i një agjencie udhëtimi, që drejtohej nga shtetasi A. L.. Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur dhe qenin e Policisë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në autobus, 3 zarfe brenda të cilave kishte 74 240 euro dhe 15 dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti të shtetit francez, leje për qëndrim në Greqi dhe në Gjermani).
Shuma e parave, dokumentet false dhe 4 celularë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Gjirokastër në bashkëpunim me DVP Tiranë, arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i autobusit, për veprat penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë", "Falsifikimi i dokumenteve", "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave", të kryera në bashkëpunim dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale";
-K. Gj., 41 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i agjencisë së udhëtimit dhe dërguesi i dokumenteve false, për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave", të kryera në bashkëpunim;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Gj., 57 vjeç, banues në Dimal, shoferi tjetër i autobusit, për veprën penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë", kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi J. K., 73 vjeç, banues në Greqi, pronari i agjencisë së udhëtimit dhe pritësi i shumës së parave, për veprën penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë", kryer në bashkëpunim dhe "Fshehja e të ardhurave".
Materialet proceduarale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Komente
