Kalabrezja Maria Oliverio, historia e rrallë e luftëtares së parë italiane që ‘rrëzoi’ çdo barrierë në Italinë e viteve ‘800

7 Mars, 16:03| Përditesimi: 8 Mars, 00:29

  • Share

Ky imazh i përket Maria Oliverios. Është frymëzuar nga fotografia e vërtetë e luftëtares së parë grua italiane dhe ilustron librin “Italiania”  të Giuseppe Catozzella-s.

“Maria është fotografuar dy herë kur Italia sapo ishte formuar. Në atë kohë shteti kishte nevojë të skedonte të gjithë ata që konsideronte si ‘kriminelë’, pasi kishin luftuar në Luftën Civile”, shprehet shkrimtari italian Giuseppe Catozella.

Romani që prezantohet këtë mesjavë në Qendrën për Dialog, në saj të Institutit Italian dhe shtëpisë botuese “Dudaj”, frymëzohet nga një histori e vërtetë. Shkrimtari italian, fitues i çmimit ‘Strega’, shkruan për heroinën e tij, bazuar në dokumente, duke e rindërtuar dramën në një panoramë të re të artistike.

“Shkrimi i këtij romani kalon në dy momente. Ka qenë një punë e gjatë mbi historitë e proceseve gjyqësore që i janë bërë kësaj gruaje, për të cilat unë studiova në Arkivat e Shtetit Italian. Dhe pastaj bëhet fjalë për pjesën që i takon shkrimtarit, përpjekja për të krijuar një zë të ri, të padëgjuar për të rrëfyer këtë histori. Dhe kjo pjesë ishte befasuese, sepse në një farë mënyre ‘u pushtova’ nga një zë i fortë që kërkonte mbi të gjitha lirinë e saj”, thotë më tej.

Libri, i përkthyer në shqip nga Agim Doksani, rrëfen një histori drame familjare, pasioni, shprese, dëshire për liri. Sjell mbi të gjitha kurajën e një gruaje kalabreze, për të qenë e lirë në Italinë e viteve ‘800. E quajtur me pseudonimin “Çeçilia” ajo është e para grua, që udhëheq një grup luftëtarësh kundër represionit të ushtrisë mbretërore. Edhe pse me distancë kohore e gjeografike, të rinjtë e pranishëm, gjejnë ngjashmëri mes saj dhe heroinës shqiptare Shote Galica.

“Ajo që josh edhe lexuesin e huaj, qëndron në faktin se Maria është skandaloze. Është një histori e ambientuar në vitet ‘800, ku Maria ishte e vetmja grua që udhëhiqte një grup luftëtarësh që përpiqeshin për një vend më të drejtë. Dhe kjo natyra e saj revolucionare, e gruas që kërkoi përgjatë gjithë jetës lirinë, atë personale, lirimin nga varfëria, analfabetizmi, patriarkalizmi, sjell në një farë mënyre përpjekjen e një kombi të tërë për të qenë të lirë”, tregon më tej.

“Italiania” është libri i dytë i përkthyer në shqip Catozella-s, pas “Mos më thuaj që ke frikë”.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?