Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, i ftuar në Report Tv, akuzon se votat e tij në zgjedhjet e 11 majit i janë vjedhur nga kandidatë të tjerë brenda partisë.
Në emisionin ‘Studio Live’, Kalaja i cili po vijon betejën për rinunërimin e votave të tij, pretendon se përmes pamjeve që ka marrë nga KQZ ka video qe vërtetojnë tjetërsimin e votave të tij.
Për gazetarin Arbër Hitaj, Kalaja thotë se përmes pamjeve ka evidentuar 39 kuti me probleme të ndryshme, ndaj kërkon rinumërimin e mbi 500 kutive në Durrës dhe 84 të tjerave të diasporës.
“Jam kandidati i parë që kam kërkuar rinumërimin pa u shpallur ende rezultati nga KQZ, që më 14 maj, sepse kam pasur objeksionet e mia fillimisht me një qendër votimi. KAS bëri interpretimin e tij dhe nga shqyrtimi e këqyrja e mëvonshme rezultoi se unë e kam parë më pas se ka pasur lëvizje si mes partive, ku PS i ka marrë PD, por edhe brenda partisë, PD-së në këtë rast. Unë kam dyshimet e mia dhe këto prova i kam dorëzuar. KAS e ka pranuar kërkesën e depozituar për shqyrtim dhe tani pritet verifikimi i tyre. Kam prova me video kur vota ime devijojet”, tha Kalaja.
Ai shpjegon se deri më tani ka parë pamjet filmike të marra nga KQZ për mbi 60 kuti dhe pretendon se ka evidentuar probleme në 39 prej tyre.
“Deri tani kam parë filmime mbi 60 kuti, nga të cilat 39 janë me probleme, teksa Durrësi ka mbi 500 kuti. Unë kam parë filmime për 10% të kutive deri tani. Madje ka pasur probleme ku PS merr vota të pavlefshme. Ka edhe vota të një kandidati me pak vota që i është marrë nga numëruesit, se janë parë si të dobët”, shpjegoi Kalaja për ‘Studio Live’.
Ai theksoi se gara e tij nuk është betejë për mandatin e deputetit, por për transparencë dhe për të vendosur një precedent, që votat të mos vidhën më dhe që kandidatët të kenë të drejtën e përfaqësimit në ankimime, njëlloj si partia.
“Në politikë kam hyrë për disa kauza dhe jo për rrogën e deputetit, sepse atë e marr edhe si gazetar. Kodi Zgjedhor thotë se duhet të ankimojë subjekti, beteja ime është që të ndryshojë kjo pikë e Kodit, që të shqyrtohet edhe ankimimi i kandidatit”, theksoi Kalaja.
Ndërsa anëtarët e opozitës në KAS i rrëzuan kërkesën e tij për rinumërim, Kalaja shpjegon si u legjetimua në KAS përmes partisë Lëvizja e Legalitetit.
“Kur na thanë se duhej përfaqësimi nga partia, kam hyrë në diskutime me PD-në që të vihej në lëvizje për transparencë. Më tej iu kërkua edhe Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat që ishin pjesë e koalicionit tonë që të përfshihej në përfaqësim. Të kenë të drejtë edhe kandidatët përveç partisë për ankimim. Kjo parti vuri në lëvizje KAS-in dhe më pas edhe ajo e Legalitetit u bashkua për këtë qëllim dhe jam legjitimuar nëpërmjet saj”, shpjegoi gazetari Kalaja,
Ai thotë se nuk është ushtar rreshti, por shumë njerëzve në PD u kujton se ka ardhur koha që të hapin krahun pas dështimit në zgjedhje, por pa e përmendur kryetarin Sali Berisha në emër.
Mandatin e listës së hapur në Durrës nga Partia Demokratike e fitoi Arjan Ndoja, i cili mori mbi 9167 vota në total me gjithë diasporën, kurse Aulon Kalaja u rendit direkt pas tij me 8118 vota, me një diferencë pak më shumë se një mijë vota mes tyre.
Pretendime në këtë qark dhe ankimime kanë bërë gjithashtu Ilirjana Kuçana, që pretendon se i janë vjedhur votat brenda partisë dhe Andia Ulliri, e cila e kërkon mandatin sipas Kodit Zgjdhor nëpërmjet kuotës gjinore.
Gazetari Artur Nura u shpreh sot në ‘Studio Live’ se nëse vota e kandidatëve apo partive është prekur dhe do konkludojë nga rinumërimi, kjo duhet të shoqërohet edhe me procedim penal e ligjor.
Ai kritikoi sjelljen e kreut të PD-së, Sali Berisha, me baltosjen që po i bën Shqipërisë në Bruksel për interesat e tij, në kohën kur vendi ndodhet në momente kyçe për integrimin, teksa theksoi se duhet të zbatojë statutin që ka votuar vetë dhe të largohet nga drejtimi pas humbjes së zgjedhjeve më 11 maj.
Megjithatë sipas Nurës, Berisha doli më i fituar nga zgjedhjet dhe jo vetëm Rama, pasi mori vulën e partisë, konsolidoi pozitën si kryeopozitar me 50 deputetë në parlament dhe kontrollon partinë me besnikët e tij.
“Nëse vota i jepet dikujt dhe i kalon dikujt tjetër, kjo është një shkelje e qartë e ligjit. Kërkesat e ligjshme duhen zbatuar. Nëse vërtetohet pretendimi, në këtë rast i zotit Aulon Kalaja, atëherë duhet të ketë edhe përgjegjësi penale”, tha gazetari.
Ai nënvizoi se dy krerët epartive të mëdha janë të kënaqur nga ajo që morën politikisht prej zgjedhjeve të 11 majit. Por ai nënvizoi se Berisha duhet të zbatojë statutin e partisë që votoi edhe vetë, “Nenin Basha”.
“Nga ana tjetër edhe Rama është i kënaqur, pasi me Berishën në opozitë mban pushtetin. Sipas statutit Berisha duhet të ishte larguar nga PD-ja. Por Berisha duket i qetë, pasi doli i fituar nga kjo sfidë, ai është i kënaqur me fitoren që mori. Ai nuk e kishte partinë, mori edhe PD-në, edhe vulën, mori edhe deputetët tani duke përfaqësuar opozitën me 50 mandate, që në dukje janë edhe njerëz që i binden. U zyrtarizua si kryetar i PD-së dhe nuk do njohë zgjedhjet, mendoj kjo është rruga e tij”, vijoi Nura analizën e tij për Report Tv.
Nura kujtoi edhe sjelljen politike të kreut të PD-së ditët e fundit, ku bën vizita në Bruksel për të nxirë Shqipërinë, teksa vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme të integrimit në BE.
“Shqipëria tani është pjesë edhe e gjeopolitikës ndërkombëtare. Raport i Parlamentit Europian u pa, në krahun tjetër ato që mund t’i kujtohen Ramës, i kujtohen edhe Berishës me Gërdecin. Pra u futëm në NATO pavarësisht ngjarjeve. Edhe sot në Bruksel po punohet që Shqipëria të jetë pjesë e gjeopolitikës dhe BE-së, të integrohet. Kurse ai, (Berisha), vete e kritikon atje Shqipërinë, kur ka një tjetër mision integrimi në Bruksel. Edhe pse duhet të themi se raporti kishte edhe kritika për të dyja palët”, komentoi Nura.
Komente

O Aulon perse nuk thoni te verteten qe votat u vodhen nga pd - ja ? O frikacak ti vodhen koleget e tu dhe jo PS , ke frike te zesh emrin e sales ,
Përgjigju