Politikë

Nis plani i investimeve/ Kallas: BE 90 mln euro për Durrës-Rrogozhinë! Rama: Për 5 vite kthejmë hekurudhat

8 Prill, 11:10| Përditesimi: 8 Prill, 14:11

  • Share

Në Tiranë u nënshkrua marrëveshja për financimin nga BE të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë. Përfaqësuesja e lartë për Punët e jashtme dhe Sigurinë në BE, Kaja Kallas tha se Unioni evropian jep 90 milionë euro për hekurudhën, ndërsa kryeministri Rama theksoi se ky 5-vjeçar do jetë periudha kur do kthehen hekurudhat në Shqipëri. 

Fondet përbëhen nga një grant i BE-së me vlerë 60.5 milionë euro, i kanalizuar në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) dhe një hua prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve.

“Nënshkrimi i huasë së Bankës Evropiane të Investimeve për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë si pjesë e Korridorit VIII, bashkëfinancuar nga BE, është një moment i rëndësishëm. Ky projekt do të krijojë vende të reja pune, do të rrisë tregtinë dhe do të përmirësojë lidhjen duke e afruar Shqipërinë më pranë fqinjëve të saj dhe më pranë Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu do të shërbejë si një rrugë kritike midis Shteteve Anëtare dhe NATO-s për mobilitetin ushtarak në Evropën Juglindore, që është jashtëzakonisht e rëndësishme në mjediset aktuale të sigurisë.”, u shpreh Kallas. 

“Dua ta them që përpara konferencës, nënshkrimi që u bë është pjesë e një programi masiv investimesh në infrastrukturën hekurudhore. Kjo është arsyeja se përse ky 5-vjeçar që na ndan nga mbyllja e kësaj dekade, do jetë edhe një 5-vjeçar ku do kthehen hekurudhat në Shqipëri dhe kjo është një nga shumë arsyet jo vetëm, për të besuar, por edhe për të luftuar që ne të anëtarësohemi në BE, se falë kësaj marrëdhënie jemi në gjendje sot të kryejmë një sërë investimesh që përndryshe do ishin të pamundura për ne”, tha Rama.

Zëvendëspresidenti i BEI-t, Robert de Groot,  përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, u shpreh se ky projekt do të rrisë zhvillimin socio-ekonomik të vendit dhe lehtësojë lidhjet tregtare me rajonin dhe BE. 

“Ne kemi kënaqësinë të jemi pjesë e kësaj përpjekjeje të rëndësishme të 'Team Europe', duke nënvizuar angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e lidhjeve më të sigurta, më të zgjuara dhe më të gjelbra të transportit në Ballkanin Perëndimor. Si një segment kyç i Korridorit VIII, ky projekt do të rrisë zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë, duke përmirësuar aksesin dhe duke lehtësuar lidhjet tregtare dhe ekonomike brenda rajonit dhe me BE-në. Në vazhdim, BEI Globale do të vijojë të kontribuojë me mbështetjen e saj teknike dhe financiare në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, edhe nëpërmjet mundësive të ofruara në kuadër të Planit të ri të rritjes", tha ai. 

Marrëveshja e Grantit ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Investime për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, u firmos në ambientet e kryeministrisë. Marrëveshja u firmos nga Zv/Kryeministrja & Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Drejtori i Bankës Europiane për Investime Lionel Rapaille.

Fondet do të mundësojnë modernizimin e një linje hekurudhore me gjatësi 34 km midis portit të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipërinë qendrore, e cila shtrihet në Korridorin VIII multimodal që lidh portet e Italisë jugore, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Projekti është i një rëndësie strategjike, si zgjerim tregues i rrjetit TEN-T dhe është pjesë e planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.  Kostoja totale e projektit është vlerësuar në 121 milionë euro, e bashkëfinancuar me një hua prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Si një financuese kryesore e sektorit të transportit në Ballkanin Perëndimor, BEI Globale po mbështet disa projekte të rrjetit hekurudhor në Shqipëri. Kjo përfshin financimin për seksionin nga Vora deri në Han të Hotit dhe përgatitjen e fazës së dytë të hekurudhës së Korridorit VIII nëpërmjet mbështetjes teknike të ofruar në kuadër të nismës për rimëkëmbejn ekonomike të BEI-t.

Programi këshillimor "JASPERS" ka mbështetur gjithashtu zhvillimin e një plani veprimi për të forcuar kapacitetin menaxhues të infrastrukturës hekurudhore të Shqipërisë.


Lajmi kryesor:

Kallas në Tiranë: Anëtarësimi realitet, s’ka rrugë të shkurtër veç reformave! Rama: Më 11 maj marrim rezultatin e duhur, mbyllim negociatat brenda 2027-ës


SI.E./Xh.D/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?