Shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka dhënë një intervistë për La Repubblica, ku flet për kërcënimet ruse, deklaratat e Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë sa më shpejt, bombardimet ruse pavarësisht bisedimeve për negociata, luftën tregtare por edhe situatën në Gaza.
Në intervistën për Claudio Tito, Kallas e cilëson Putin një diktator, ndërsa shton se nuk ka frikë nga kërcënimet ruse. Duke u ndalur te komentet e Trump që e drejton gishtin te Joe Biden dhe Volodymyr Zelensky për luftën në Ukrainë, Kallas tha se është Rusia ajo që ka sulmuar hapur integritetin territorial të Ukrainës, dhe po vret civilë çdo ditë edhe më shumë.
Pyetjes se nëse Trump mund t'i japë fund luftës shpejt, kryediplomatja evropiane iu përgjigj duke thënë se duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj Rusisë, jo ndaj Ukrainës, siç ka vepruar deri më tani.
Intervista e plotë:
Presidenti i Dumës ruse, Vyacheslav Volodin, mendon se ju duhet të largoheni nga detyra dhe të gjykoheni nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara.
“Është nder për të ta thotë këtë”.
Keni frikë nga këto fjalë?
"Pse? Ky është mënyra se si veprojnë rusët: kërcënojnë dhe frikësojnë. Duan që të kemi frikë nga kërcënimet e tyre. Përgjigjja është të mos kemi".
A është kjo prova që Rusia nuk është një vend demokratik?
"Është e qartë. Prej kohësh nuk ka më zgjedhje demokratike, të lira dhe të ndershme. Herën e fundit ishte me Jelcinin".
Dhe pra Putini nuk është një udhëheqës demokratik?
"Sigurisht. Është një diktator i vërtetë. Dhe diktatorët funksionojnë kështu. Heqin qafe të gjithë kundërshtarët. Mjafton të mendosh si e vranë Navalnyn. Metoda është ajo e eliminimit të alternativave dhe kënaqja e bashkëpunëtorëve përreth tij, strukturave të pushtetit, si ushtria dhe policia. Dhe kështu qëndrohet në pushtet".
Të hënën, megjithatë, presidenti Trump tha se Zelensky dhe Joe Biden, më shumë se Putini, kanë faj për luftën në Ukrainë. Jeni dakord?
"Në atë luftë ka një agresor dhe një viktimë. Rusia ka sulmuar hapur një tjetër vend, integritetin e tij territorial, sovranitetin e tij. Rusia po vret civilë në territorin e Ukrainës. Ukraina nuk ka bërë asgjë për të provokuar këtë luftë".
Pra nuk është e vërtetë?
"Duhet të jemi shumë të qartë. Është shumë e rrallë në botë që konfliktet të jenë kaq bardhë apo zi. Ja, lufta në Ukrainë është bardhë apo zi. Ka një agresor dhe një viktimë".
Pra Donald Trump gabon?
"Nuk e di pse e thotë. Sot gjithçka është e dokumentuar. Rusia e ka nisur këtë luftë më 24 shkurt 2022, një luftë në shkallë të gjerë. Në vitin 2014 ata aneksuan Krimenë. Por mund t’ju jap një listë vendesh që Rusia ka sulmuar dhe askush nuk ka sulmuar ndonjëherë Rusinë. Nga veriu në jug: Finlanda, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Gjeorgjia, Ukraina, Çeçenia, Siria, Afganistani. Lista është e gjatë".
Të dielën e kaluar aviacioni rus bombardoi qytetin Sumy. Rezultati ishte dramatik. A është kjo një dëshmi tjetër që Putini nuk do paqe dhe as një armëpushim?
"Për fat të keq po. Duhet të jenë dy persona që të duan paqen. Mjafton një për të dashur luftën. Tridhjetë e katër ditë më parë, Ukraina pranoi një armëpushim të pakushtëzuar. Për tridhjetë e katër ditë Rusia ka bombarduar duke goditur civilët. Fëmijë, njerëz që shkonin në kishë. Tregon qartë që do vetëm dorëzimin e pakushtëzuar të Ukrainës".
Trump ka qenë shumë optimist kur pretendonte se do ta mbyllte luftën për një ditë?
"Besoj se ai mund ta përfundojë me të vërtetë këtë luftë në një kohë shumë të shkurtër duke ushtruar presion mbi Rusinë. Presioni përkundrazi është mbi Ukrainën".
Pra presidenti Trump është shumë mik me Putinin?
"Po them që ende nuk është parë një presion i fortë mbi Rusinë. E kuptoj që në fillim të gjithë duhet të ruajnë fytyrën, por Rusia mund të kishte treguar pak vullnet të mirë duke kthyer, për shembull, mijëra fëmijët e deportuar ose duke liruar të burgosurit e luftës apo ndonjë gjë tjetër. Dhe megjithatë, asgjë".
Evropa duhet ende ta ndihmojë Ukrainën?
"Sigurisht. Ukrainasit po mbrohen. Nuk mund ta bëjnë këtë pa municion. Duhet t’i ndihmojmë edhe me sanksione ndaj Rusisë".
Që megjithatë Hungaria nuk i do.
"Deri tani kemi qenë të bashkuar. Na duhet që të gjithë të jenë në bord".
Por do të mund ta bindni Orban-in?
"Është e vështirë, por varet edhe nga ajo që bëjnë amerikanët".
Shumë parti sovraniste të ekstremit të djathtë në Europë duken shumë mike me Kremlinin. Ju shqetëson kjo?
"Duhet të jemi shumë vigjilentë ndaj narrativave ruse që po fitojnë terren në Europë. Në demokraci, në fund njerëzit votojnë. Por vota e tyre është shumë e lidhur me atë që dëgjojnë nga mediat dhe me atë në të cilën besojnë. Kjo është vërtet një luftë për të vërtetën".
Sa i përket mbrojtjes. A është “RearmEu” i mjaftueshëm apo është vetëm hapi i parë?
"Bëhet fjalë për një sasi të madhe financimesh dhe shumë para. Gjithmonë mund të bëhet më shumë".
A është e mundur të financohet mbrojtja me borxh të përbashkët?
"E kam propozuar këtë disa kohë më parë. Për Covid-in e bëmë. Pastaj ka rregulla fiskale. E dimë që disa vende nuk janë dakord".
Ka ndjeshmëri të ndryshme. Një gjë janë vendet baltike që ndiejnë frymëmarrjen e Rusisë në qafë dhe një gjë tjetër janë vendet më perëndimore.
"Nëse sheh hartën, mund të shohësh që Europa është një kontinent shumë i vogël edhe pse me vende të ndryshme kulturalisht. Pra çdo gjë që vjen nga Rusia prek të gjithë. Në Europë kemi rënë dakord t’i bëjmë gjërat së bashku. Po e bëjmë këtë edhe për flukset migratore që nuk ndihen aq fort në veri sa ndoshta ndihen në jug".
Por a do t’i quanit ende SHBA-të një aleat ushtarak?
"Amerika ka konfirmuar se është pjesë e NATO-s. Pra po, është një aleat i mirë".
A po dobësojnë marrëdhëniet tregtare konfliktuale lidhjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian?
"Nuk ka fitues në një luftë tregtare. Ai që përfiton është Kina".
Megjithatë duket se ky konflikt për tarifat mund të ketë pasoja edhe për mbrojtjen.
"Presidenti Trump prej shumë kohësh ka thënë që europianët duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre. Të gjithë duhet të bëjmë më shumë".
A është 3% e PBB-së e mjaftueshme?
"Sigurisht që duhet të shpenzojmë më shumë. Varet me çfarë e krahason. Nëse krahasohet me Rusinë, ata shpenzojnë mbi 9% të PBB-së së tyre për mbrojtjen dhe atëherë 3% duket si një numër i vogël. Por në të vërtetë kanë rëndësi edhe kapacitetet, shkurtimi i kohëve të furnizimeve dhe ulja e kostove. Duhet bërë gjithçka me mençuri".
Duke u zhvendosur në jug, a mendoni se Izraeli e ka tepruar me bombardimet në Gaza?
"Po. Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes, por ngjarjet e fundit kanë treguar qartë që ka kaluar kufijtë. Është e tmerrshme humbja e jetëve njerëzore që shohim atje".
Çfarë mund të bëjë Europa?
"Kemi qenë në kontakt me homologët tanë izraelitë dhe jemi shumë të drejtpërdrejtë. Po përpiqemi t’i ndihmojmë sa më shumë palestinezët. Kemi miratuar një tjetër paketë ndihme prej 1,6 miliardë eurosh. Jemi mbështetësit më të mëdhenj të zgjidhjes me dy shtete. Siguria e Izraelit nuk mund të vazhdojë pa respektimin e të drejtave të palestinezëve".
Komente

Cfare tjeter presioni mu d ti bej USA Rusise ? Sipas kesaj duhet te hapi luften e trete boterore sepse ato qe kishte ne dore i beri te gjitha por kur vendos disa injorante qe nuk e kane fare haberin si funksionon bota normal qe do degjosh cdo idiotizem
Përgjigju