Elona Toro

Kaloi shkallën e parë të Vettingut, Komisioneri Publik ankimon vendimin për gjyqtaren Elona Toro

5 Tetor 2020, 17:15| Përditesimi: 5 Tetor 2020, 17:18

  • Share

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e shkallës së parë të KPK, i cili rikonfirmoi në detyrë gjyqtaren Elona Toro.

Në vendimin e ankimimit Komisioneri Publik kërkon që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të riçelë hetimin gjyqësor, pasi sipas tij konfirmimi në detyrë  nuk arrin nivel të besueshëm.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 264, datë 17.6.2020, konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Elona Toro, janë rrjedhojë e një hetimi jo të plotë administrativ.

Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit, në gjendjen që janë aktet, nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në ankimimin e Komisionerit Publik.

Elona Toro (Stavri), gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë u konfirmua në detyrë më  12 qershor. Trupa Gjykuese e shkallës së parë të vettingut ishte e  përbërë nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja, Pamela Qirko.

  Toro e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar për 16 vjet pranë Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2016, u emërua gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës. Ajo është gruaja e Alban Toros i cili është anëtar i KLGJ.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?