Petar Sucic

Sport

Kaloi te Interi në verë, Sucic: Nuk përdor rrjetet sociale, fëmijërinë e kalova duke mjelë lopët

28 Gusht, 15:55| Përditesimi: 28 Gusht, 15:57

  • Share

Petar Sucic e ka nisur mbarë aventurën e tij në Serie A me Interin. Kroati ishte një nga protagonistët kryesorë në javën e parë të kampionatit, duke shkëlqyer me fanellën e Interit në fitoren 5-0 ndaj Torinos. Performanca e tij i ka bërë tifozët zikaltër të dashurohen menjëherë me mesfushorin e ri.

Në një intervistë për “DAZN”, kroati Sucic është rikthyer pas në kohë, duke rrëfyer fëmijërinë në fshatin e tij të vogël, ku ndihmonte familjen në fermë.

“Jam rritur në një fshat të vogël. Kemi një fermë ku babait tim i pëlqente të mbante lopë. Kur isha i vogël, shkoja çdo mëngjes dhe e ndihmoja për mjeljen. Më pëlqente shumë ajo jetë dhe isha i lumtur. Kam kujtime të paharrueshme nga ajo periudhë", tha mesfushori zikaltër.

Sucic kujtoi edhe debutimin e tij në Champions League me Dinamo Zagreb.

“Mbaj mend se atë natë binte shumë shi dhe mendova se ndeshja do të anulohej. Në fund u luajt, shënova një nga golat më të bukur të karrierës dhe ishte një natë e paharrueshme për mua", vijoi ai.

Një tjetër detaj që e bën të veçantë futbollistin është fakti se ai nuk përdor rrjete sociale, duke preferuar jetën reale dhe kohën me familjen.

“Nuk më pëlqen të humbas kohë në rrjetet sociale. Janë mjet efektiv, por mund të harxhosh orë të tëra aty. Unë preferoj të jetoj jetën reale dhe të kaloj sa më shumë kohë me familjen time”, shtoi kroati 21-vjeçar.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?