Migena Laska dhe Sokol e Elson Marku

Kaloi Vetingun, gjyqtarja Migena Laska zhbllokoi pasurinë 5 milionë euro të vëllezërve Marku! U akuzuan për trafik droge, objekt të OFL, kërcënuan Veliajn

6 Qershor 2022, 17:03| Përditesimi: 6 Qershor 2022, 17:11

  • Share

Migena Laska është gjyqtarja e Tiranës, e cila vendosi të rrëzonte një javë më parë kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë me vlerë rreth 5 milionë euro të vëllezërve Sokol dhe Elson Marku, dy emra të njohur për drejtësisë. Vëllezërit Marku janë hetuar që në vitin 2019 për trafik droge, pastrim parash dhe dhënie të parave me fajde. Policia dhe prokuroria kanë konstatuar se 18 automjete, 3 sipërfaqe toke, 2 apartamente, 2 ndërtesa banimi, 2 ambiente bar-kafeje dhe 1 ndërtesë trekatëshe, janë produkt i parave të trafikut të drogës dhe të përfitimit nga dhënia e parave me fajde.

Këto pasuri ishin regjistruar në emrin e të afërmve të vëllezërve Marku, me sa duket për t’i shpëtuar sekuestrimit. Megjithatë, ndryshe ka arsyetuar gjyqtarja Migena Laska, e cila ka pushuar çështjen, duke shpëtuar pasurinë me vlerë rreth 5 milionë euro nga sekuestrimi dhe më pas konfiskimi.

Mbetet për t’u parë se mbi cilat argumente dhe rrethana gjyqtarja Laska ka bazuar vendimin në favor të vëllezërve Marku. Interes të veçantë do të ketë vendimi i Gjykatës së Apelimit, pasi prokuroria ka ankimuar vendimin e gjyqtares Laska, duke i qëndruar bindjes se pasuria në fjalë nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme.

Ndërkaq, gjyqtarja Migena Laska është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Vetingut në 20 maj të vitit 2021. Vendimi i KPK-së mori formë të prerë në korrik të vitit të kaluar pasi nuk u ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik. Referuar vendimit të KPK-së, zonja Laska ka rezultuar pa probleme të tre kriteret; profesionalizimin, pastërtinë e figurës dhe pasurinë.

Trafik droge dhe transferta parash

Sokol Marku ka qenë i dënuar në vitin 2013 me 5 vite burg për veprën Penale “Prodhim dhe shitje e narkotikeve” dhe në vitin 2016 me një muaj burg për “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”. Prokuroria e Tiranës, në një njoftim të janarit 2021, thekson se “nga të dhënat e marra dyshohet se dy vëllezërit merren dhe me trafikim të lëndëve narkotike në Itali”.

Hetimet kanë zbuluar se nga viti 2008 deri në vitin 2015, Sokol dhe Elson Marku kanë përfituar transferta në vlera monetare të larta nga disa vende të ndryshme të BE, si Italia, Belgjika, Spanja, Suedia, Zvicra, Greqia dhe Franca. Këto para ata i investonin në blerjen dhe tregtimin e makinave. Për shkak të kësaj veprimtaria, dy vëllezërit kanë qenë edhe objekt i OFL-së.

Kërcënuan Veliajn

Në janar të vitit 2022, njëri prej vëllezërve, Elson Marku, i cili ishte edhe një prej protestuesve të banorëve të '5 Majit', kërcënoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Marku u bëri thirrje banorëve që kanë kallash të fshehur në shtëpi dhe acid dhe t'ia hedhin në sy kryebashkiakut.

“Këta janë hajduta dhe super kriminela. Nesër do të prishet e juaja. Çdokush e ka një kallash të fshehur dhe një benzinë, kur të dali Veliaj në Bllok nuk është vështirë ti dalim me kapuç dhe t'i hedhim acid në fytyrë. Çdo shqiptar e ka një kallash të fshehur diku dhe dy shishe benzinë. Nuk është zor kur të dali Erion Veliaj në Bllok me pi kafe, nuk është zor për t'i shkuar me një kapuç e me ja hedh një shishe acid në sy”, tha ai. Kryebashkiaku Erion Veliaj iu përgjigj duke thënë se nuk trembet, teksa tha se 'koha e të fortëve ka mbaruar’.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tarrasi: 06/06/2022 17:34

    Edhe sikur te jen para te pista , ata ne atdhe investojnë. Ndërsa politikanët tanë I vjedhin popullit dhe investojnë jasht shtetit . Si drejtori I tatimeve me vile ne Londër. Etj. Etj.

    Përgjigju
  • Mirel: 06/06/2022 17:23

    Pyesni Muç Nanon si e ka bere se ua shpjegon ai! Kaloi vettingun kjo dhe zjarr

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?