Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit Erion Pano, aktualisht i komanduar në pozicionin e Këshilltarit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Komisioneri Publik nga ana e tij konstaton se ky vendim është i cenueshëm në tërësinë e tij, si dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit. Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe të shkarkohet nga detyra, Erion Pano.
Komisioneri Publik, thotë se ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e rivlerësimit, referuar gjendjes së fakteve dhe provave në rastin konkret, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë.
Vendimi për Erion Panon u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Erion Pano e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si oficer i policisë gjyqësore dhe është emëruar si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vitin 2005.
Nga viti 2013 deri në 2018-ën ai ka ushtruar funksionin e Zëvendësdrejtuesit në këtë prokurori dhe që prej vitit 2020 është komanduar si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)