Komisioneri publik ka mbështetur rekomandimin e ndërkombëtarëve të OMN për ankimin e vendimit të KPK për drejtuesen e Prokurorisë Durrës, Anita Jella. Komisioneri publik shprehet se Jella nuk arrin nivelin e duhur të besueshëmrisë për konfirmimin në detyrë dhe për këtë kërkon shkarkimin e saj. Anita Jella kaloi fazën e parë të vettingut më 10 dhjetor 2019, por duket se ky vendim nuk bindi as OMN dhe as Komisionerin publik, i cili ka kërkuar rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që vendosi konfirmimin e saj në detyre dhe kalimin të tre kriteve të rivlerësimit.
'Nisur nga parashikimi i nenit 179/b, pika 5, të Kushtetutës dhe aneksit të saj, konsiderojmë se, ndryshe nga sa disponon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të tria kriteret e rivlerësimit, referuar gjendjes së fakteve dhe provave, në rastin konkret dhe të ligjit të zbatueshëm, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Komisioneri Publik, pasi vlerësoi të drejtë dhe ndan të njëjtin qëndrim me rekomandimin e ONM-së, gjetjen dhe opinionin e vëzhguesit ndërkombëtar, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të mundësojë trajtimin e këtij ankimi me prioritet në kohë, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Anita Jella", shkruhet në kërkesën e Komisionerit Publik për ankimim të Anita Jellës.
Drejtuesja e Prokurorisë Durrës, Anita Jella, e cila kandidon për një vend në Prokurorinë e Posaçme SPAK, pritet të marrë vendimin për rikonfirmim në detyrë apo jo në fazën e dytë të vettingut nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.
Anita Jella ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Ajo e ka filluar karrierën si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007. Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Më 9 maj 2018, Anita Jella u caktua përkohësisht drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.