Kronikë

114 kg kanabis drejt Greqisë, 4 në pranga, mes tyre dhe avokati i dënuar më parë! Droga fshihej në sediljet e pasme të mjetit, rolet e anëtarëve të grupit

7 Nëntor 2021, 07:56| Përditesimi: 7 Nëntor 2021, 09:27

  • Share

KORÇË-114 kg kanabis janë sekuestruar gjatë një aksioni të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Korçës si dhe u vunë në pranga 4 persona, mes të cilëve dhe avokatin Joni Mosku, i dënuar më parë për trafik droge.

Ky grup trafikantësh ishte prej dy javësh nën hetim nga policia, ndërsa mbrëmjen e djeshme gjatë tentativës së trafikimit drejt Greqisë së një pjesë të drogës prej 66 kg kanabis ka bërë që policia të nis operacionit e koduar “Restart” dhe të vihet në ndjekje të makinës me të cilën udhëtonte avokati Joni Mosku. Avokati u kap në pikën kufitare të Goricës dhe brenda mjetit të tij  tip "Opel Meriva", iu gjet e fshehur 66 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis e fshehur në sediljet e pasme të mjetit në një hapësirë të krijuar apostafat për të fshehur drogën.

Gjithashtu në pranga përfunduan edhe Ligor Romaçka, 29 vjeç, banues në Korçë,  Idriz Manej, 66 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar më parë për veprën "Trafikimi i narkotikëve" dhe Albion Çiko, 21 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq  i cili ishte me masë sigurie "Arrest në shtëpi" për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".

Pjesa tjetër e drogës prej 48 kg kanabis u gjet e fshehur në një magazine në lagjen nr. 1, Korçë, të marrë në përdorim nga shtetasi Ligor Romaçka. Po ashtu edhe kjo sasi droge ishte fshehur në brendësi të një mjeti tip "Opel Meriva", pa targa, pa dokumentacion që rrinte brenda magazinës.

Grupi i trafikantëve kishin detyra të ndara në trafikun e kanabisit në Greqi, ku avokati dhe Ligor Romaçka luanin rolin e transportuesit drejt Greqisë, Idriz Menaj ishte poseduesi i kanabisit, ndërsa Albion Çiko ishte personi që bënte modifikimin e mjetit, me qëllim fshehjen e sasisë së lëndës narkotike.

Gjatë aksionit policia sekuestroi 114 kg kanabis, 1 armë sportive tip pistoletë, 4 automjete, 6 aparate celularë dhe 1 pajisje metalike (presë) e cila shërbente për paketimin e lëndës narkotike. 

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?