Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi 9 masat e sigurisë për 8 punonjës të komisariatit të Rinasit dhe Eneo Sulejmanit. Këtë të enjte gjykata e Tiranës vlerësoi kushtet e caktimit të masave ku për inspektorin Briken Tereziu me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor në Aeroportin e Rinasit, është caktuar arrest në burg në mungesë për veprat penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Urdhri arrest në shtëpi është ekzekutuar për Sokol Xhika, Ermal Mesi, Aris Drini, ndërsa ‘detyrim për t’u paraqitur’ është lëshuar për Ylli Prençi, Rei Shenjtolli, Enkis Aliaj, Argil Hasa.
Eneo Sulejmani kërkoi në gjykatë një masë më të butë sigurie teksa ka qenë arrestuar më herët me 1 kg kokainë dhe ndodhej në burg, nga celulari i të cilit u zbulua aktiviteti kriminal me udhëtarët nga aeroporti i Rinasit. Ndërkohë një nga afektivët me masë detyrim paraqitje, pretendoi se shumica e rasteve dhe veprimeve të tyre kanë qenë administrative dhe jo shkelje penale.
Në bashkëpunim e njëri-tjetrin këta shtetas mundësonin kalimin e personave që ju ndalohej kalimi në territorin e vendeve të Bashkimit Evropian nëpërmjet Aeroportit të Rinasit. Pronari i agjencisë “Bus Albania”, Enea Sulejmani kishte kontakte me ndihmës specialistin/kontrollor në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, Briken Tereziu. Përmes agjencisë së tij, përveç përfitimeve nga biletat që iu shiste qytetarëve Sulejmani hynte ndërmjetës për ata që kishin pronlematika me ndalimin e udhëtimit në zonën Shengen.
Ai i dërgon të dhënat e personave të cilët kanë blerë bileta në këtë agjensi, për verifikim paraprak të rekordeve në sistemin TIMS, nëse plotësojnë kushtet për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, e duke e informuar atë rast pas rasti për problematikat që kanë. Sipas hetimeve që ka kryer prokurori Bledar Valiakj, pasi këta persona verifikohen paraprakisht prej Tereziut, ose lidhjeve të tij shoqërore/punonjës policie, jepeshin udhëzimet mbi kabinën ku duhet të paraqiten për përpunimin e të dhënave dhe vlerat monetare në këmbim të lejimit për të udhëtuar dhe formën e dorëzimit të tyre.
Në varësi të problematikës, për rastet të cilat personat janë kthyer në kategorinë INAD ose deportiv nga vendet e BE-së, punonjësi i policisë Briken Tereziu jep udhëzime mbi itenerarin e udhëtimit që duhet të kryej pasagjeri, duke vendosur si destinacion fillestar aeroportet e vendeve që nuk janë në BE dhe më pas kryerjen e flutrimeve tranzit drejt vendeve të Be-së.
Në lidhje me rastet të cilat kanë problematika të tjera, në varësi të tyre përcaktohen vlerat monetare në këmbim të lejimit të kalimit, të cilat variojnë nga 50 euro (per persona të cilët nuk kanë asnjë problematike, por mashtrohen prej tyre) deri në vlerat e 500 eurove apo më shumë për ata që kanë problematika të tipit, nuk lejohen të udhëtojnë pasi janë të kthyer në kategorinë Inad apo deportiv nga shtetet e tjera, anëtare të BE-së.