Mbarimi i fundjavës shënon edhe kthimin masiv të pushuesve nga Kosova, të cilët kanë kaluar ditët e pushimit në bregdetin shqiptar. Si pasojë, trafiku vijon të jetë tepër i rënduar përgjatë segmentit Milot-Morinë të Rrugës së Kombit, duke shkaktuar vonesa dhe bllokime të herëpashershme për drejtuesit e mjeteve.
Pavarësisht pranisë së shtuar të policisë rrugore në terren, menaxhimi i situatës paraqitet i vështirë për shkak të numrit të madh të automjeteve që janë vërsulur në këtë aks që prej pasdites së sotme.
Pamjet e dërguara nga qytetarët për Report TV tregojnë radhë të gjata mjetesh dhe një fluks që ende nuk ka shenja lehtesimi.
Policia rrugore është e pranishme në të dy anët e këtij segmenti për të menaxhuar trafikun, duke përdorur patrulla dhe radarë për të monitoruar shpejtësinë dhe për të këshilluar drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Për të shmangur krijimin e radhëve dhe pritjeve të gjata, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta gjatë pasdites së së dielës, pika doganore e Vërmicës ka lehtësuar kalimin e lirë të automjeteve në drejtim të Kosovës.
Fluks është regjistruar gjithashtu edhe në hyrje të Shqipërisë nga pika kufitare e Morinit. Rreth 7 mijë qytetarë nga Shqipëria kanë kaluar fundjavën në zonat turistike malore të Kosovës, kryesisht në qytetin e Prizrenit dhe bjeshkët e Sharrit. Edhe kjo pikë doganore po punon me kapacitete të plota për të mundësuar lëvizje të lirë dhe për të shmangur vonesat.
Fluksi i qarkullimit pritet të arrijë kulmin në orët e mbrëmjes dhe të vijojë deri në mesnatë.
Kujtojmë se këtë fundjavë rreth 60 mijë shtetas nga Kosova dhe vende të tjera të rajonit kanë hyrë në Shqipëri përmes pikës së Morinit, për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar. Mes tyre kanë qenë edhe shumë tifozë kuqezi, që kanë udhëtuar për të ndjekur ndeshjen Shqipëri–Serbi në Arenën Kombëtare.
Komente
