Më 20 qershor në 18:30 në "Elbasan Arena", Shqipëria U-21 do zhvillojë një ndeshje miqësore përballë moshatarëve nga Bullgaria. Trajneri Alban Bushi ka zbardhur listën me 22 emrat e ftuar për këtë duel, teksa bie në sy se janë tetë futbollistë nga futbolli shqiptar. Për mediet, trajneri tregoi edhe për miqësoren dhe ndeshjet e Euro23.
“Janë 8 lojtarë që vijnë nga kampionati shqiptar. Kishim një plan për të marrë lojtarë të tjerë, por kemi kohë që i shohim këta që kemi marrë. Janë lojtarë të perspektivës. Janë lojtarë të mirë dhe të rinj. Alivoda dhe Preka? Mungesa për arsye teknike. Do provojmë disa lojtarë të tjerë të rinj. Të jesh trajneri i kombëtares U21, nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë të bësh plane", tha 'Loku'.
Më pas trajneri tregoi se Bullgaria luan si Armenia, teksa ka disa dëmtime që rikthehen në shtator.
"Është pak e vështirë, por më pëlqen, sepse kështu ecim përpara. Ndeshja me Bullgarinë është një test i mirë për ne. Ata luajnë me të njëjtin sistem si Armenia. Do doja të kisha edhe lojtarë që mungojnë, por ata do të rikthehen në shtator. Besoj se këta lojtarë do e përballojnë mirë këtë ndeshje, si në lojë dhe rezultat. Puna me moshat është primare në ekipin kombëtar", tha trajneri.
Bushi më pas u ndal edhe te bashkëpunimi me trajnerin e ekipit A, Sylvinho.
"Bashkëpunimi me Sylvinhon? Puna me moshat është primare në ekipin kombëtar. Jemi në bashkëpunim me trajnerin e ekipit A. Ai ka luksin të përzgjedhë lojtarë nga kombëtaret e moshave. Kemi lojtarë cilësore, që luajnë në nivele të larta, si Broja dhe Asllani. Ne kemi lojtarë shumë të rinj. Kemi lojtarë pretendentë për të luajtur me kombëtaren A në të ardhmen", vijoi Bushi.
Më pas trajneri, i pyetur për formacionin ideal tregoi se e ka në mendje, ndërsa në shtator do jenë të plotë.
"Formacioni ideal i eliminatoreve? E kam në mendje, por 90% e ekipit është gati për në shtator. Do të jemi një ekip shumë i fortë. Kam lojtarë që dinë të luajnë futboll, do të luajmë një futboll të bukur. Mendoj se nëse do të kemi të gjithë organikën e duhur, ne bëhemi një ekip shumë i fortë. Do jemi pretendentët e grupit nëse do të jemi të plotë”, deklaroi Alban Bushi.
Zvicra, Rumania, Finlanda, Mali i Zi dhe Armenia janë kundërshtarët e kuqezinjve të vegjël. Dy takimet e para në grup do të luhen në ditët e para të shtatorit. Përballë Armenisë U21 në transfertë (8 shtator) dhe katër ditë më vonë në shtëpi kundër Rumanisë U21.
Lajmi kryesor:
8 emra nga futbolli shqiptar, Alban Bushi zbardh listën e Kombëtares! Trajneri: Luajmë bukur
S.Dh/ReportTv.al