Teatri “Aleksandër Moisiu” mirëpriti një trupë balerinësh të rinj të cilët për herë të parë sollën një rrymë ndryshe të baletit bashkëkohor në qytetin bregdetar.
“Kam frikë” është titulli i pjesës vënë në skenë nga koreografi Gjergj Prevazi. Ajo vjen si një nxitje për nevojën e njeriut që të shprehë frikën.
“Periudha e vështirë që njerëzimi po kalon vitet e fundit ku ngjarje të ndryshme kanë shkaktuar jo pak panik tek secili prej nesh, lind nevojën që kjo frikë të bërtitet dhe të largohet.”- tha koreografi Gjergj Prevazi.
Baleti është gjuha e trupit nëpërmjet të cilës balerinët e rinj përpiqen të përcjellin emocionin dhe nevojën për ta flakur këtë frikë jashtë vetes.
Festivali ka nisur një tur në disa prej skenave të vendit dhe përveç qëllimit të përcjelljes së artit, ka si qëllim dhe nxitjen e të rinjve dhe përfshirjen e tyre në vënien në skenë të veprave të profesionistëve bashkëkohor.