Partizani dhe Vllaznia luajnë nesër në 16:00 për javën e 34 në Superligë. "Demat" e Partizanit mbajnë vendin e dytë dhe janë në garë për titullin kampion, teksa shkodranët nga ana tjetër kërkojnë pikët për në Europë.
Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella për mediet ka treguar se paraqitja e skuadrës në derbin e barazuar 1-1 me Tiranën nuk e ka kënaqur, teksa pret që kundërshatri në garën e titullit të humbasë, për të pasur më shumë mundësi për objektivin.
“Paraqitja e skuadrës në derbi nuk më ka bindur dhe jam i nxehur. Nuk është problem rezultati që morëm, por problemi është që nuk bëmë atë që duhej të bënim dhe motivet që nuk e arritëm janë të shumta. Nëse fitojmë ndaj Vllaznisë, duhet të presim që të humbasë kundërshtari. Ne duhet t'i fitojmë të gjitha. Të jem i sinqertë edhe nëse do të fitonim derbin do të na duhej ti fitonim të gjitha ndeshjet. Në derbi fatin e kishim ne në dorë, ndërsa tani jo", tha trajneri i Partizanit.
Më pas italiani foli edhe për gjendjen e Vllaznisë dhe garën për në Europë.
"Shkodranët janë të rrezikshëm në këto momente sepse kanë humbur ndeshje dhe këto javë të fundit janë në garë për Europën. Do të luajmë gjithçka që kemi ndaj Vllaznisë. Nuk jam unë ai që duhet të ndryshoj diçka. Nëse shkoj në fushë, kam më pak shqetësime. Problemi është se do të përgatitësh gjëra dhe t'i respektosh në fushë. E kam menduar kurthin ndaj Vllaznisë por nuk ua them. ", tha Colella.