Kamala Harris

Bota

Kamala Harris nuk do të kandidojë për guvernatore të Kalifornisë

2 Gusht, 07:32| Përditesimi: 2 Gusht, 07:34

  • Share

“Gjatë muajve të fundit, kam menduar seriozisht t’i kërkoj popullit të Kalifornisë privilegjin për të qenë guvernatorja e tyre. E dua këtë shtet, njerëzit e tij dhe premtimet që mbart. Është shtëpia ime”, – ka shkruar në një deklaratë ish-kandidatja për presidente të Shteteve të Bashkuara. – “Por pas një reflektimi të thellë, kam vendosur që nuk do të kandidoj për guvernatore në këto zgjedhje.”

Harris do të ishte kandiduar për të zëvendësuar guvernatorin demokrat Gavin Newsom, i zgjedhur në vitin 2019 dhe kundërshtar i vendosur i Donald Trump, të cilin e ka kritikuar hapur për politikat e tij migratore.

Deklaratën e saj Harris e publikoi në një postim në platformën X, ku shprehu “admirim dhe respekt të jashtëzakonshëm për ata që ia kushtojnë jetën shërbimit publik, shërbimit ndaj komuniteteve të tyre dhe ndaj kombit tonë. Në të njëjtën kohë, duhet të pranojmë se politika jonë, qeveria dhe institucionet tona shpesh kanë zhgënjyer popullin amerikan, duke kulmuar në këtë moment krize.”

“Duke parë përpara, duhet të jemi të gatshëm të ndjekim ndryshimin përmes metodave të reja dhe mendimit të freskët, duke iu përmbajtur vlerave dhe parimeve tona, por pa u kufizuar nga i njëjti skenar,” – përfundoi avokatja demokrate.

Pas humbjes në zgjedhjet e nëntorit ndaj Donald Trump, thuhet se Harris ka kaluar muaj në privatësi duke vlerësuar nëse do të kandidonte për guvernatore, do të rikandidonte për Shtëpinë e Bardhë apo do të largohej tërësisht nga politika zgjedhore.

Ish-nënpresidentja, duke theksuar se do të njoftojë më shumë detaje për planet e saj në muajt e ardhshëm, lë ende të hapur mundësinë e një gare të tretë për kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028, me synimin për t’u bërë presidentja e parë femër në historinë e Shteteve të Bashkuara.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë mendoni për ndryshimet e propozuara me draftin për Kodin e ri Penal?