Tiranë- Kamerat dhe radarët ‘marrin më qafë’ 30 drejtues mjetesh në kryeqytet.
Policia Rrugore e Tiranës njoftoi sot se përgjatë javës që u mbyll ka kryer arrestimin dhe procedimin e 30 shoferëve, teksa 20 automjete janë ‘shkulur’ me vinç e karrotrec, teksa 22 leje drejtimi u pezulluan. Nuk mungojnë edhe makinat luksoze të dërguara në pikën e bllokimit me karrotrecë.
“Vijojnë kontrolle intensive me dronë, radarë dhe kamera, si dhe me prani të shtuar të shërbimeve të Policisë Rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore dhe që pengojnë lëvizjen. 30 drejtues automjeti të arrestuar/proceduar për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor; 20 automjete janë tërhequr me mjet ngritës, pasi ishin parkuar në korsitë e autobusëve, taksive ose biçikletave; 22 leje drejtimi të pezulluara për shkelje të rënda të Kodit Rrugor”, bëri me dije Rrugora ditën e sotme (16 qershor).
Policia Rrugore sqaron se po vijon kontrollet pa ndërprerje, në të gjitha akset dhe zonat urbane, me zero tolerancë ndaj çdo shkeljeje që cenon sigurinë rrugore dhe rrezikon jetën e përdoruesve të rrugës.
“Policia Rrugore e Tiranës apelon sërish për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si një domosdoshmëri për garantimin e sigurisë në rrugë dhe për mbrojtjen e jetës”, përfundon njoftimi.
Komente
