Sajmir Hima, 28 vjeç dhe Leonard Xhixha, 32 vjeç, me banim në Zall Herr u arrestuan nga efektivët e komisariatit të Kamzës, pasi akuzohen se për motive të dobëta, kanë djegur ekskavator me vlerë 150 mijë euro, ngjarje e ndodhur më 19 tetor të vitit 2023.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në fshatin Herraj dhe ekskavatori ishte duke punuar në një gurore. Pas hetimeve, përfshirë vëzhgimin e kamerave të sigurisë, janë identifikuar autorët e dyshuar dhe është sekuestruar makina me të cilën ata u larguan pasi dogjën ekskavatorin
‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të veprimeve hetimore të thelluara për një djegie mjeti pune (eskavator) të ndodhur më datë 19.10.2023, në fshatin Herraj, pas një pune hetimore ndjekur me metoda speciale, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Ferraj".
Si rezultat i tij u ndaluan shtetasit e shpallur në kërkim S. H., 28 vjeç, banues në Ferraj, dhe L. Xh., 32 vjeç, banues në Zall Herr.
Nga veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, më datë 19.10.2023, në fshatin Herraj, kanë djegur një mjet pune (eskavator) me vlerë 150 mijë euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.