Tiranë- Qarkullonin të armatosur me makinë, “Flagranca” çon në pranga një 28-vjeçar dhe nën akuzë shokun e tij pasagjer.
Aksioni është kryer nga forcat “Shqiponja” të kryeqytetit, ndërsa u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, që mbahej pa leje.
Efektivët kishin siguruar informacione paraprake se D. A., qarkullonte me automjet dhe mbante armë zjarri me vete, duke shfaqur rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Si rezultat i veprimeve operacionale, në rrugën “Zyrih” Kamëz, u bë kapja e shtetasit D. A., 28 vjeç, banues në Tiranë”, bëri me dije policia.
Kur i riu ka parë patrullat në rrugë, ai parkoi mjetin anash dhe ka qëndruar brenda bashkë me mikun e tij 21-vjeçar, për t’iu shmangur kontrollit. Por me të dhëna paraprake për ta, blutë i shkuan deri në fund verifikimit dhe brenda makinës gjetën edhe armën e zjarrit, që u sekuestrua si provë materiale.
Më tej arrestimi u krye nga Komisariati nr. 5 Kamëz, ku dhe është paraburgosur 28-vjeçari, në pritje të masës së gjykatës, për veprën penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në gjendje të lirë u procedua dhe A. D., 21 vjeç, i cili u gjet brenda në mjet, për veprën “moskallëzim krimi”. Hetimet e mëtejshme për rastin i kaluan prokurorisë së kryeqytetit.
Komente
