Skanimi i kamionit në Durrës

Kamioni me 119 kg kokainë në arkat me banane doli i pastër në skanerin e Durrësit, merren në pyetje punonjësit e doganës

6 Janar 2022, 14:11| Përditesimi: 6 Janar 2022, 14:14

  • Share

Mbrëmjen e 30 dhjetorit në Tiranë u kapën 119 kg kokainë brenda një kamioni të ngarkuar me banane, ndërsa policia u thirr vetë nga pronarët e kamionit.

Kokaina e ndarë në 100 pako u zbulua menjëherë nga policia e fshehur në arkat me banane, por la mister dhe të dyshimtë faktin se si ky kamion kishte mundur të kalonte i pastër skanerin e drogës dhe të mos ishte zbuluar gjatë kontrolleve aty. Kontejneri me banane u nis nga Ekuadori dhe kaloi tranzit në Itali për të ardhur në Durrës.

Për këtë prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje punonjësit doganorë në Durrës, për të kuptuar se pse nuk u arrit të kapej droga dhe kamioni u lejua të hynte në Tiranë. Pjesë e këtyre hetimeve do të jetë edhe Prokuroria e Posaçme për të kuptuar përfshirjen e zyrtarëve publikë nisur nga skaneri në Durrës.

Si ndodhi ngjarja? Në orën 18:16 minuta të 30 dhjetorit 2021 shoferi Hasan Salihu ka shkuar për të marrë konteinerin me banane në Portin e Durrësit. Konteineri është skanuar në Port dhe ka rezultuar krejtësisht i pastër. Referuar dëshmisë së tij para hetuesve, të siguruar nga Report Tv, teksa po lëvizte me kamionin katër persona i prenë rrugën në Romanat. Njëri prej tyre i hyri në kabinë dhe iu prezantua si shteti, ndërsa e kërcënoi: "Jemi shteti, mbyll gojën se përndryshe të shuajmë familjen".

Tre të tjerët kanë mundur të hyjnë brenda konteinerit dhe kanë bërë rrëmujë gjithçka dhe më pas janë larguar. Ata ishin në kërkim të lëndës narkotike, por nuk kanë mundur ta gjejnë.  Pas largimit, shoferi  ka vazhduar rrugën dhe nuk ka njoftuar policinë, por përfaqësuesit e firmës. Më pas Trifon Murataj, pronari i kompanisë së bananeve Zico Sha, 1 ditë me vonesë ka njoftuar Gledis Nanon në telefon dhe policia ka shkuar në magazinat e firmës dhe ka zbuluar drogën. Më herët gjykata la në burg 3 të arrestuarit menaxherin Marson Murataj, Gëzim Kalaja dhe shoferin Hasan Salihu.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?