Një ditë pas shembjes totale të Urës së Darëzezës në Fier që u fundos për shkak të mosmbajtjes së peshës së një kamioni me ngarkesë prej 50 ton, një tjetër urë provizore do të ndërtohet këtë herë nga Forcat e Ushtrisë.
Drejtori i emergjencës civile, në Fier Maks Zarka u shpreh për Report TV se ka filluar puna për ndërtimin e një ure emergjente për kalimin e banorëve të fshatit, ndërsa paralelisht Bashkia e Fierit po vijon punën për ndërtimin e një ure të re me standarde Darëzezë punimet e së cilës po bëhen 10 m më poshtë saj.
“Drejtoria e Emergjencës, Bashkia Fier u mobilizua, pa ngjarjen dhe po punohet që të riparohet dëmi sa më shpejt. Kanë ardhur Forcat e Ministrisë së Mbrojtjes, për të bërë një urë provizore siç ka qenë. Shteti po merr masa që të ndërtojë një urë të re, të përhershme që mos të kemi më këto probleme”, thotë drejtori i emergjencës civile, në Fier Maks Zarka.
Banorët e fshatit thonë se në këtë situatë kanë mbetur të izoluar pasi nuk marrin dot as shërbimet shëndetësore , ndërsa kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë nga ana e institucioneve.
“I izoluar komplet, nuk vete dot për një sëmundje. Duhet ta biesh të sëmurin me barrela që atje këtu. Ne ngordhëm për ujë të gjithë ky fshat. Kush ka miell sivjet, ka harxhuar të paktën 150 mijë lekë për dylym. Çfarë bën komuna, çfarë bën Bashkia?", thotë një prej banorëve.
E ngritur nga ushtria pas përmbytjes nga Lumi Vjosë në dhjetor 2017, Ura e Darëzesës në Fier u shemb mëngjesin e së enjtes për shkak të pakujdesisë së drejtuesit të një kamioni të tonazhit të rëndë i cili tentoi të kalonte në anën tjetër të lumit duke neglizhuar tabelat ku qartësohej se në atë urë mund të kalojnë automjete me tonazh deri në 15 ton.
O derezinjas,shoferi eshte bashkefshatari juaj?Pse e lejuat te kaloje? Syte ne balle i keni apo ne vend tjeter?Jeni te izoluar?Duroni,po punon mileti,qe ju ta prishni perseri.
Përgjigju