Fëmijët e grupmoshës 6 deri në 12 vjeç përveç kampeve verore tradicionale, tashmë mund të bëhen pjesë edhe e kampeve digjitale, siç është hapësira e “Micro-Folie” te Piramida pjesë e qendrës Tumo. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ndau detaje se çfarë përfitojnë të vegjlit nga kjo eksperiencë.
“Ftesa për të gjithë prindërit është të kujdesen që fokusi i fëmijëve për lojrat apo mësimet të jenë në këto lloj industrish, që do jenë punët e së ardhmes. Ndaj, u them t’i regjistrojnë fëmijët te Qendra Tumo, që të sigurohemi që çunat dhe gocat e Tiranës të marrin aftësimin më shembullor për punët e së ardhmes, por edhe nëse keni ditë pushimi dhe nuk dini ku t’i sillni fëmijët, sillini te ‘Micro-Folie’; ndodhet brenda Qendrës Tumo dhe menaxhohet nga Agjencia e Kreativitetit dhe Industrisë Digjitale, si një mënyrë fantastike për të kaluar kohën e mirë, për të mësuar gjëra të reja, për të qenë në një mjedis të sigurt, por edhe për të zënë shokë dhe shoqe të reja, miqësi që zgjasin sa një jetë”, theksoi Veliaj.
Sipas kryebashkiakut Veliaj, në kuadër të bashkëpunimeve me ambasadën franceze, Këshilli Bashkiak ka votuar projektin “Ecole-42”, një shkollë e fokusuar për të rinjtë e moshës nga 18 deri në 22 vjeç.
‘Duam që piramida të gëlojë jo vetëm me jetë, me art, kulturë dhe shkolla digjitale, por edhe me këto projekte, që i ndjekin fëmijët. Në qoftë se ‘Micro-Folie’ është për moshat 6-12 vjeç, Qendra Tumo për moshat 12-18 vjeç, ‘Ecole 42’ për moshat 18-22 vjeç, e kështu me radhë, në çdo segment të jetës, ne sigurohemi që Bashkia e Tiranës të jetë e pranishme në nxitjen e punëve të së ardhmes.’- tha Veliaj.
Projekti “Micro-Folie” ka si aktivitet kryesor Muzeun e tij Dixhital, duke mbledhur disa mijëra vepra arti nga shumë institucione dhe muze. Gjithashtu, pranë “Micro-Folie Tirana”, fëmijët kanë edhe një hapësirë dedikuar kreativitetit, ku mund të realizojnë shumë programe të tjera edukuese për fëmijë.