Sport

Kampionati i bodybuilding në Gjirokastër, kampioni: E nisa për qef, por kapa vendin e parë

28 Qershor 2021, 16:27| Përditesimi: 28 Qershor 2021, 23:52

  • Share

Është zhvilluar në Gjirokastër kampionati kombëtar i bodybuilding natyral ku morën pjesë tre kategori. Quhet natyral, pasi sportistët nuk përdorin substanca për fryerje, ndërsa kategoritë që morën pjesë ishin nën 18 vjeç, nga 18 deri në 21 dhe kategoria e të rriturve. Në total ishin 18 sportistë, ndërsa fituesi sipas jurisë u shpall Bashkim Dano:

‘Kam 9 muaj që i jam përkushtuar intensivisht stërvitjes. Mora pjesë për qef dhe rezultoi mirë. Kapa vendin e parë për fizik.’

Për sportistët e tjerë pjesmarrja në këto gara është mjaft domethënëse.

‘Kam 4 vite që merrem me stërvitje, me fitnes. Kam qenë pak i dobët, por falë këmbënguljes e mora veten dhe u shëndosha si të gjithë shokët e mi. Fillova më pas palestrën. Pashë rezultate të mira dhe pak nga pak erdha deri këtu, të marr kupën.’

Organizatori i këtij kompeticioni Nikollaq Muço, gjithashtu një bodybuilder, fillimisht shprehet i lumtur që edhe këtë vit zhvilloi garën, ndërsa më pas thotë se mori premtimin e radhës për mbështetje nga pushteti lokal.

‘Këtë aktivitet unë e bëj me forcat e mia. Për herë të parë dëgjova sot kryetarin e bashkisë që na tha se do u mbështes. Ky është gëzim për mua sepse edhe në të kaluarën shumë kryetarë bashkie më kanë premtuar dhe më pas më kanë lënë në baltë. Unë shpresoj që ai ta mbajë fjalën dhe më pas vitin tjetër do kemi një pjesmarrje shumë të madhe,’-u shpreh Nikollaq Muço.

Ky aktivitet ka çelur siparin e organizimeve të aktiviteteve sportive në qytetin e gurtë.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?