Kampionati i rafting, Osumi fiton ‘garën e lumenjve’! Trajneri i kombëtares: 30 vitë më parë njerëzit na quanin të çmendur

31 Mars 2023, 12:11| Përditesimi: 31 Mars 2023, 12:48

  • Share

Lumi Osum në Berat ka mirëpritur kampionatin kombëtar të Rafting ku morën pjesë 5 skuadra përfaqësuese të 5 lumenjve të ndryshëm të Shqipërisë. Bëhet fjalë për ekipet e Osumit, Bistricës, Vjosës, Shkumbinit dhe Drinit të Zi. Aktiviteti mblodhi shumë admirues, turistë dhe qytetarë të cilët kishin kuriozitet, ndërsa në fund fitoi ekipi i Osumit.

“Kam shumë vite që ushtrojmë këtë lloj sporti dhe dimë dy gjëra më shumë se ata që kanë filluar. Edhe ata kanë shpresa se me garat fiton edhe eksperiencën e duhur,”-tha Murat Omurani, sportist.

“E ftoj gjithë rininë që të na bashkohet sepse turizmi ka vend për të gjithë. Ne zhvillojmë rafting në kanionet e Osumit që jo vetëm është më i bukuri në Shqipëri, por futet tek 5 më të mirët në Europë,”-deklaroi Ali Spathara, sportist.

Ky sport në Shqipëri i ka fillesat gati 30 vite më parë dhe kjo falë trajnerit të kombëtares Adrea Gali me origjinë nga Italia.

“Kur u hapën kufinjtë shqiptarë bisedova me disa miq dhe vendosëm të bëjmë një eksplorim këtu. Zbuluam lumenj shumë të bukur, por 30 vite më parë na merrnin për të çmendur. Unë iu thoja njerëzve këtu jeni ulur mbi florinj. Jo i verdhë, por blu se iu referoja lumenjve. Kemi ndihmuar të rritet turizmi dhe të mbrohen lumenjtë,”-tha Andrea Gali, trajneri i kombëtares së rafting.

Garat e rafting shërbejnë jo vetëm për të bërë sport, por edhe ti treguar garuesve dhe sportdashëve bukuritë natyrore të vendit.

“Risia e këtij kampionati është se ka skuadra nga lumenj të ndryshëm të Shqipërisë. Kjo do të thotë se rafting është zgjeruar. Më vjen mirë që ky kampionat erdhi në një kohë kur lumi i Vjosës u shpall Park Kombëtar,”-u shpreh Alma Spathara, zv/presidente e federatës së rafting.

Fituesit e ekipit të Osumit nga Berati do të përfaqësojnë Shqipërinë në kampionatin botëror që zhvillohet në Itali.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?