Sport

Kampione bote në karate pasi mposhti serben në finale, Amanda Dedej për Report Tv: Shumë e lumtur, synoj medalje në Olimpiadë

2 Korrik, 13:57| Përditesimi: 2 Korrik, 15:36

  • Share

Amanda Dedej është sportistja që premton të bëjë krenare Shqipërinë. Vajza nga Lushnja pak ditë më parë fitoi Ligën Botërore të karatesë për moshat deri në 14 vjeç, duke fituar edhe medaljen e artë për ngjyrat kuqezi. Për Report TV, karateistja e vogël, tregon emocionet e garave në Kroaci.

“U ndjeva shumë mirë pasi arrita synimin tim për të dalë kampione në ligën botërore, ku fitova 6 ndeshje,”-u shpreh Amanda Dedej, sportiste e karatesë.

14-vjeçarja tregon me krenari për rezultatet e arritura në Botërorin e karatesë.

“Ndeshjen e parë e pata me Ukrainën që e fitova 6-0, ndeshjen e dytë me Hungarinë që fitova 4-0, ndeshjen e tretë me Suedinë 6-1, ndeshjen e katërt me Italinë 1-0, ndeshjen e 5 me Bullgarinë 1-0 dhe finalen, ndeshjen e 6 që e pata kundër serbes të cilën e munda 4-0,”-tha Amanda.

Që në vogëli Amanda është stërvitur nga Lirim Dedej, i cili njëkohësisht është trajner i saj dhe i ekipit ‘Bijtë e Shqipes’ në Lushnjë. Ai nuk e fsheh krenarinë për arritjet e së bijës.

“I ka marrë të gjitha pothuajse me 0, vetëm një pikë që ia ka marrë Suedia 6-1,”-deklaroi Lirim Dedej, trajner dhe babai i Amandës.

Ëndrra e madhe e Amandës është e njëjtë pothuajse me të gjithë sportistët elitarë.

“Synimi im është që të marr medalje të artë në Lojërat Olimpike,”-u shpreh Amanda. 

Amanda Dedej e ka nisur sportin e karatesë vetëm 4 vjeçe, ndërsa më herët ka deklaruar se stërvitet deri në 6 orë në ditë. Në moshën 7-vjeçare Amanda mori medaljen e parë, ndërsa tani numëron mbi 40 të tilla.

 

 

 

 

Ne.k./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?