Dinamo, që sezonin e nisi me jo pak vështirësi, 2024 e mbylli si kampione e dimrit në Superligë. Kapiteni i ‘nëndetesës’ Bruno Dita, për Report TV tregon sesi ia doli skuadra të mblidhte 34 pikë pas 19 javësh kampionat.
“E nisëm keq, por me kalimin e javëve dhe ardhjen e profesor Dajës gjërat ndryshuan. Lojë nuk kishim si në këto ndeshjet e fundit, por po merrnim pikët. Me kalimin e kohës u rrit edhe vetëbesimi tek njëri-tjetri,”-u shpreh fillimisht kapiteni i Dinamos.
Bruno Dita është nga lojtarët e fundit te afruar te Dinamo gjatë merkatos së verës, por nuk nguron ta pranojë se synimi është që edhe në fund të jenë kampionët.
“Nuk i fshihemi synimit të titullit, por ia lëmë kohës se unë them me bindje që Dinamo nuk është akoma te 100% saj. Akoma kemi më shumë për të berë,”-tha ai.
Kapiteni i ‘nëndetëses’ e shprehu hapur pakënaqësinë për formulën e kampionatit me ‘finalen me 4 skuadra’. Sipas Bruno Ditës ka shumë gjasa që kampion të shpallet edhe ajo skuadër që nuk e meriton.
“Shumë e çudtishme sepse luan shumë mirë, shkëputesh me 10 pikë dhe vjen fundi një ndeshje është ajo. Mund të fitojë vendi i 4 që vetëm në javën e fundit mund të ketë arritur atë pozicion. Është pak e çuditshme,”-deklaroi Bruno Dita.
Dinamo do të rikthehet në aksion me 11 janar të 2025, teksa për llogari të javës së 20 të Superligës do të luajë kundër Bylisit në transfertë.