Ailin Ndreko është 9-vjeçarja nga Fieri por me banim në Tiranë që po triumfon në sportin e bukur të shahut. E ka nisur këtë sport thjesht për argëtim, por trajneri Arian Bllaca zbuloi talentin e saj dhe tashmë Ailin është pjesë e Akademisë së Shahut pranë skuadrës së Partizanit.
"Unë këtë sport e nisa në qendrën ku shkoja çdo ditë pas shkolle dhe atje u njoha me shahun rastësisht dhe profesori e vuri re që unë isha e mirë dhe foli me babain dhe i tha se dua ta marr vajzën në ekipin e Partizanit që ta trajnoj. Isha një lojtare normale në fillim dhe kur u rrit niveli im, tani jam kapitene e grupit B", tha shahistja 9-vjeçare.
Ajlin e takuam në Fier ku po kalon pushimet por nuk nguron të flasë për kompeticionet ku ka marrë pjesë, kupat dhe medaljet që ka fituar.
"Unë kam marrë pjesë në kampionate të ndryshe në Shqipëri dhe jashtë tij. Ky i fundit ishte në Greqi dhe vitin e kaluar në Shkup. Në Greqi luajta me të mëdhenj mua nuk mu dukën të vështira, ata donin të fitonin gjithmonë ata.. unë u përqendrova dhe i munda", tha ajo.
Ailin Ndreko, një vit më parë është shpallur kampione kombëtare për kategorinë G8, ndërsa në Korrik të këtij viti, Ndreko fitoi vendin e parë për vajza të grupmoshës së saj. Gjithashtu ajo ka marrë pjesë dhe në aktivitete në Greqi e Maqedoninë e Veriut, ku ka fituar medalje.