Kamzë, dhunoi barbarisht dhe hodhi nga ballkoni i katit të 3-të gruan, arrestohet 62-vjeçari! U raportua si aksidentale, shenjat në trup dhe dëshmia e fëmijëve zbardhi ngjarjen

24 Mars 2022, 12:25| Përditesimi: 26 Mars 2022, 11:45

  • Share

TIRANË- Denoncimi në polici i një gruaje se kishte rënë aksidentalisht nga kati i tretë i pallatit ku banon, nuk i ka bindur efektivët e policisë, të cilët pas hetimeve zbuluan në fakt se ajo ishte dhunuar nga bashkëjetuesi i saj që më tej e kishte hedhur nga ballkoni. Ngjarja ka ndodhur më 11 mars në Kamëz, ku hetimi zbuloi se 62-vjeçari Dilaver Idrizi kishte ushtruar dhunë barbare ndaj bashkëjetueses dhe e kishte hedhur nga ballkoni. Ka qenë vajza e gruas së dhunuar që ndihmoi hetuesit e Policisë së Tiranës për të zbardhur ngjarjen. Sipas dëshmisë së saj të dhënë përpara grupit hetimor, e reja ka treguar detaje. Vajza është e martuar ndërsa ka hasur në disa prej situatave të dhunës midis çiftit. Ajo ka treguar se shumë herë kanë parë dhunën që ai ka ushtruar ndaj mamasë.

“Më merr tezja dhe më thotë se ku isha, pasi e kishte marrë në telefon komshiu duke i thënë se mami kishte marrë shumë dëmtime dhe kishte qenë në gjak, në moment unë kam lënë punën dhe i jam drejtuar Spitalit të Traumës. Pas pak kam hyrë në reanimacion dhe pash mamin që kishte shenja dhune, fryrje balli, çarje të hundës dhe në pjesën e qafës kam parë një gërvishtje, dhe në atë moment jam tromaksur dhe pasi më shikonte mua nuk fliste, por vetëm qante. Mami nisi të më shpjegonte se atë ditë pasi ishin kthyer nga puna, kishin nisur me debate xhelozie për punën e telefonit pasi mami nuk ka telefon sepse ai nuk ia lë. Vëllai është regjistruar në një shoqatë bamirësie dhe duke patur kontakt me to, mami ka lënë numrin e Dilaverit pasi është prezantuar si daja. Për tetë marsin kanë ardhur urime dhe ky i ka kërkuar llogari. Në moment që gruaja është justifikuar rreth debatit të krijuar ka nisur edhe dhuna ndaj saj”, rrëfeu vajza para hetuesve.

Më tej, e reja ka treguar edhe rrëfimin që i kishte thënë e ëma, nga dhuna barbare prej një mesazhi për 8 Marsin, e deri tek humbja e ndjenjave të saj nga dhuna.

“Aty ka nisur duke e qëlluar me grushte, shkelma, duke e përplasur tek dera dhe e kishte marrë duke e rrahur me rrip pantallonash, duke i thënë se do të të mbys fare dhe duke e sharë e kanosur me fjalë banale, duke i mbyllur dyert dhe dritaret që të mos dëgjohej. E kishte rrahur aq shumë sa i kishte rënë të fikët. Më përpara i kishte kërkuar ujë por nuk ia kishte dhënë duke ja hedhur fytyrës dhe në atë gjendje kishte humbur ndjenjat dhe nuk mbante mend asgjë, vetëm kishin kërkuar ta ndihmonin. Nuk mbante mend asgjë vetëm e kishte parë veten poshtë pallatit duke pasur rrjedhje gjaku dhe duke kërkuar ndihmë”, shtoi me tej ajo.

E dëmtuara kishte thyerje të legenit si dhe dëmtime te tjera trupore por pa qenë në gjendje të komunikonte, për këtë arsye materialet i janë nisur prokurorisë si gjendje aksidentale. Dhuna mes dy bashkëjetuesve ka qenë e pranishme që në fillim të lidhjes për shkak të xhelozisë por ishte munduar ta mbante lidhjen për shkak të fëmijëve, pavarësisht se ata  kanë qenë prezent në disa raste dhune. Pas deklaratave të vajzës është bërë i mundur arrestimi i Dilaver Idrizit i dyshuar si autor i kësaj ngjarjeje.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?