Dy raste të trafikimit me postë të kanabisit me përqindje të lartë të lëndës THC, u goditën orët e fundit nga Policia e shtetit. Gjatë operacionit “Pako 1”, u arrestuan në flagrancë 24-vjeçari Aslian Pez dhe 55-vjeçari Andi Xhelili, duke marrë në një degë postare në Tiranë, një pako me rreth 522 gramë kannabis, me përqindje të lartë THC, që dyshohet se ishte trafikuar nga ShBA. Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte një 25-vjeçar i cili u shpall në kërkim.
Në një tjetër operacion u arrestua një tjetër i ri i identifikuar si Mateos Hoxha. në momentin e arrestimit ai ishte gati të merrë 1 kg kanabis në një degë postare në Shkodër, ndërsa porositësi i pakos, një 23-veçar u shpall në kërkim.
Policia thotë se po vijon puna për kapjen e personave të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë trafik.
Rastet e trafikimit me postë nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri të kanabisit me përqindje të lartë THC janë shtuar së fundmi. Vetëm një javë më parë u sekuestruan 3.6 kg kanabis që vinin me postë nga SHBA dhe një i ri u arrestua në kohën kur po e merrte në dorëzim.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të ndjekur për disa muaj, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Prokuroria e Tiranës, u finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Rinas, Degën Qendra Tranzite të Postës Shqiptare dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, operacionet policore antidrogë, të koduara “Pako 1” dhe “Pako 2”.
1. Gjatë operacionit “Pako 1”, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 24 vjeç dhe A. Xh., 55 vjeç, duke marrë në një degë postare në Tiranë, një pako me rreth 522 gramë Cannabis, me përqindje të lartë THC, që dyshohet se ishte trafikuar nga ShBA. Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte shtetasi B. F., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.
2. Gjatë operacionit “Pako 2”, u arrestua në flagrancë shtetasi M. H., 19 vjeç, duke marrë në një degë postare në Shkodër, një pako me rreth 1.07 kilogramë Cannabis, me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga ShBA. Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte shtetasi G. P., 23 vjeç, i cili u shpall në kërkim.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këto raste.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
