Tiranë- Një tjetër rast i trafikut të drogës me postë është zbuluar nga Antidroga e Tiranës. Në pranga ka rënë i riu me origjinë italiane Manuel Morella, në momentin që ishte duke marrë pakon me drogë në një pikë postare në Tiranë.
Pas kontrolleve të kryera edhe në banesën e 23 vjeçarit, efektivët sekuestruan gjithsej 917 gramë kanabis sativa me përqindje të lartë TCH (me vlerë rreth 20 000 euro), para dhe 7 celularë.
Ndërkohë burime për Report Tv bëjnë me dije se Manuel Morella rezulton student i stomatologjisë në një universitet privat në Tiranë. Në momentin e arrestimit, ai është shprehur se nuk e dinte që pakoje kishte drogë, por sipas tij kishte porositur një bluzë.
Për sasinë e kanabisit që iu gjet në banesë, ai ka thënë se e kishte për përdorim personal. Droga ishte porositur nga SHBA, konkretisht nga Kalifornia. Ky është rasti i 11-të që Antidroga e Tiranës godet trafikimin e kanabisit përmes postës gjatë muajve të fundit.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve disamujore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Dërgesa”.
Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi italian M. M., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 475 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar 442 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një shumë e konsiderueshme parash dhe 7 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
