Ditët e fundit nga ana e policisë ka patur raportime të shumta për arrestimin e personave të cilët merret me kultivimin e lëndëve narkotike, ndërkohë që sot janë parandaluar dy raste të kultivimit të këtyre lëndëve.
Në Fushë-Krujë është arrestuar një 28-vjeçar më inicialet B. C, banues në Larushk, pasi policia në oborrin e tij sekuestroi në cilësinë e provës materiale fidanë e kubikë të bimëve kanabis sativa.
Gjithashtu një 80-vjeçar me inicialet I. C po në Larushk të Fushë-Krujës është proceduar penalisht për shkak të moshës pasi policia gjatë kontrollit në oborrin e banesës së tij gjeti fidanë e kubikë të kultivuar me fara kanabis sativa.
Ndërkohë në Fier është parandaluar kultivimi i lëndëve narkotike në fshatin Darzezë dhe konkretisht në pyllin e Semanit. Gjatë kontrollit në tokën në përdorim të shtetasit F. K., u gjetën dhe u sekuestruan fidanë të dyshuar narkotikë kanabis sativa.
Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. K., 55 vjeç, banues në Fier dhe u shpall në kërkim shtetasi A. G., 48 vjeç, po banues në Fier. Gjithashtu u procedua penalisht, për moskallëzim krimi, roja i pyllit, shtetasi A. S., 51 vjeç, banues në Seman.
Sakaq në Berat policia ka vënë në pranga një 45 vjeçar me inicialet A. L pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale disa fidanë narkotikë, fara të dyshuara si kanabis sativa dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar si kanabis sativa.