Pamje nga vendi i ngjarjes në Vancouver

Bota

Kanada/ Rritet në 11 numri i viktimave nga sulmi me makinë në Vancouver, autori përballet me disa akuza

28 Prill, 07:34| Përditesimi: 28 Prill, 07:39

  • Share

Numri i viktimave nga sulmi në një  festival në Vancouver të Kanadasë është rritur në 11. Dhjetëra të tjerë janë plagosur, disa në gjendje të rëndë. Autor i dyshuar që është arrestuar, Kai-Ji Adam Lo, 30 vjeç, banor i qytetit, tashmë përballet me tetë akuza për vrasje të shkallës së dytë, raporton BBC. 

Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i akuzave të rritet, për shkak të bilancit në rritje të viktimave dhe të plagosurve në gjendje kritike. Sipas hetimeve paraprake, Lo ishte i njohur për policinë dhe institucionet e shëndetit mendor, por nuk ka prova që ngjarja të ketë pasur motive ekstremiste apo terroriste. 

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:14 me orën lokale në kryqëzimin mes East 43rd Avenue dhe Fraser Street, në jug të Vancouver-it, ku mijëra njerëz, përfshirë shumë familje dhe fëmijë, ishin mbledhur për të festuar në një festifal filipinas. 

Dëshmitarët treguan për skena kaosi e paniku, me shumë njerëz të shtrirë në tokë, ndërsa të tjerë përpiqeshin të ndihmonin. “Ishte tmerruese… pashë dhjetëra njerëz të lënduar, njerëz që qanin, bërtisnin”, tregoi Abigail Andiso, banore e zonës.

Ndërkohë që qytetarët kanë filluar të vendosin lule në vendin e ngjarjes, komuniteti filipinas në qytet është në zi. “Kjo ngjarje do të lërë plagë të thella për shumë vite,” tha RJ Aquino, përfaqësues i organizatës Filipino BC.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, anuloi tubimet elektorale dhe vizitoi vendin e tragjedisë të dielën në mbrëmje, ku ndezi një qiri dhe qëndroi në heshtje me anëtarë të komunitetit. Ai u takua gjithashtu me familjarë të viktimave dhe mori pjesë në një meshë përkujtimore.

Festivali ndiqet nga dhjetëra mijëra qytetarë, në një nga ngjarjet më të mëdha për komunitetin filipinas në Kanada. Në vendin ku ndodhi sulmi, nuk kishte barriera fizike për të mbrojtur turmat, një fakt që tashmë ka nxitur diskutime për sigurinë në eventet publike.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?