Kosova & Rajoni

Kancelari austriak mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor, fokus integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian

18 Qershor 2021, 13:01| Përditesimi: 18 Qershor 2021, 15:27

  • Share

Në prag të mbajtjes së Samiti të Këshillit Evropian, kancelari austriak Sebastian Kurz, ka ftuar në një takim të nivelit të lartë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe homologët e tij.

Të pranishëm në takim janë kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Malit të Zi Zdravko Krivokapic, kryeministri i Bosnjë-Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Shqipëria përfaqësohet nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter” Kurz është shprehur se Bashkimi Europian është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor.


“BE-ja s’është e kompletuar për sa kohë Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e tij. Ju mund të konsideroni mbështetjen tonë për reformat e kërkuara për rrugën drejt BE-së, po ashtu edhe për luftën kundër pandemisë. Këtë do ta theksojmë edhe në samitin e sotëm të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Kurz. 

Diskutimet kryesore në këtë samit pritet të jenë perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe migrimi.

Ora 20:18
Kurti në Vjenë: BE të liberalizojë vizat me Kosovën, të konsiderohet vend i sigurt për udhëtimet në union

Në samitin e Liderëve të Ballkanit në Vjenë, kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të liberalizojë vizat me Kosovën. Në fjalën e tij, Kurti bën me dije se ka vënë theksin në menaxhimit e pandemisë, duke kërkuar kështu që Kosova të konsiderohet një vend i sigurt për udhëtimet në BE.

Ndërkaq, kryeministri ka hedhur në tryezën e bisedimeve çështjen e dialogut Kosovë-Serbi për vendosjen e paqes midis dy vendeve dhe njohjen Kosovës.

"Kosova po e menaxhon mirë e me sukses pandeminë COVID-19. Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë. Bashkimi Evropian do të duhej ta vendos Kosovën në mesin e shteteve të udhëtimit të sigurt lidhur me pandeminë COVID-19.

 Kosova me qeverisjen e mirë dhe demokratike ka nisur reformat në drejtësi dhe ekonomi. Besimi qytetar në institucione është shumë i lartë. Krahasuar me vitin e kaluar eksportet i kemi rritur për 66%, aktivitetin ekonomik (qarkullimin) për 15%, kurse të hyrat buxhetore për 30%. Kemi nevojë për më shumë investime, dhe kompanitë austriake janë të mirëseardhura e të dëshiruara.

 Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave.

 Të hiqen vizat për Kosovën në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, kurse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore) sipas shembullit të EFTA-EEA, pra siç e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia e Islanda me BE-në", shkruan Kurti.

Ora 17:11
Albin Kurtin pritet nga kancelari Kurz: Do vazhdojmë bashkëpunimin me Kosovën drejt integrimit europian

Albin Kurti dhe Sebastian Kurz

Kancelari austriak, Sebastrian Kurz është shprehur se do vazhdohet bashkëpunimi me Kosovën për integrimin e saj në Europë.

Në një postim në ‘Twitter’, pas samitit të lidërve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur Vjenë, Kurz ka shpërndarë foto me kryeministrin Albin Kurtin dhe shkruan se pandemia e kornavirusit ka nxjerrë në pah rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar.

“Kënaqësi ta mirëpres Albin Kurtin në Vjenë sot. COVID-19 na ka treguar se sa e rëndësishme është që të kemi partneritet të fuqishëm ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Kosovën drejt integrimit evropian”, shkruan Kruz.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?