Figura të shquara të futbollit shqiptar të cilët jetojnë jashtë vendit si Igli Tare, Besnik Hasi, Erion Bogdani dhe Altin Lala e kanë të pamundur të kandidojnë për president të federatës.
Kjo për shkak të ndryshimeve të fundit statutore të FSHF për llogari të Dukës, të cilat kanë hyrë në fuqi në janar të 2021. Me këto ndryshime asnjë shtetas që nuk është rezident në Shqipëri nuk mund të kandidojë për postet e FSHF-së.
Ky nen famëeq është votuar nga aktorët e futbollit shqiptar për llogari të Armand Dukës, por nuk dihet se si është kaluar edhe nga ministria përkatëse që e ka miratuar.
Në nenin 32 pika 8 ku flitet për zgjedhjet thuhet se kandidati për president përveçse duhet të jenë me banim të përhershëm në Shqipëri nuk duhet të jetë apo të ketë qenë kandidat për deputet apo të posteve të tjera politike.
Një ndryshim ky i strukturuar me kujdes nga FSHF pas zgjedhjeve të president në vitin 2018 ku garoi ish-politikani i ndjerë Bashkim Fino, i vetmi që realisht ka rrezikuar postin e Armand Dukës.
Në lidhje me këto ndryshime statutore të kryera nga FSHF Report TV kontaktoi me ish-futbollistin e kombëtares Erion Bogdani, i cili u shpreh: “Nuk jam dakord me këtë që ka ndodhur…Është njësoj si një person që ka kryer shkollën në Harvard dhe nuk lejohet të ushtrojë profesionin e mjekut në Shqipëri’.
Ndryshimet statutore tregojnë se FSHF manipulimet për zgjedhjet i ka nisur kohë më parë se sa të kryheshin zgjedhjet në shoqatat rajonale të futbollit.