Eglantina Gjermeni është propozuar nga kryeministri Edi Rama, ambasadore pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë.
Ish ministre e Turizmit, në dëgjesën pranë Komisionit të Politikës së Jashtme, u ndal tek ecuria e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare si edhe listoi prioritete që do të ketë ajo në këtë detyrë.
Kandidatja Gjermeni, duke bërë një prezantim të detajuar të profilit të saj, e nisi fjalimin duke thënë se Shqipëria, e cila po shërben si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023, është një arritje historike, siç është po ashtu dhe po ashtu para dy vitesh kur Shqipëria kryesoi me sukses OSBE-në.
“Përkushtimi, përgjegjshmëria dhe puna ime do të jenë maksimale për të thelluar bashkëpunimin me Organizatën e OSBE, pjesëmarrja aktive në forume por edhe shtetet anëtarë të saj. Rritja e profilit të Shqipërisë dhe rolit aktiv të saj në OSBE por edhe Organizatat e tjera ndërkombëtare, do të jenë fokusi i punës dhe misionit tim në Vjenë.”, theksoi Gjermeni.
Ajo mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit të cilët vlerësuan jo vetëm punën e saj 3 herë deputete dhe 4 vite ministre por edhe personalitetin e saj. Gjermeni nuk kandidoi në zgjedhjet e 25 prill 2021 duke u larguar përfundimisht nga politika.
Në seancën e sotme ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme Armand Skapi. Z. Skapi, duke bërë një rezyme të përgjithshme në prezantim të znj. Gjermeni, u shpreh se ky propozim vjen në pajtim me dispozitat e Nenit 26, të Ligjit 23/2015, “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikë së Shqipërisë”.
“Zonja Gjermeni ka një eksperiencë të gjatë në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, si politike ashtu edhe akademike.”, -vuri në dukje z. Skapi në fjalën e tij. Po ashtu, ai shtoi se plotëson të gjitha kriteret dhe pritshmëritë për një performancë të suksesshme, në funksion të realizimit të objektivave të politikës së Jashtme, diplomacinë shumëpalëshe dhe veçanërisht në raport me OSBE dhe Organizatat Ndërkombëtare, me seli në Vjenë”, tha ai.