TIRANË - 18 kandidatë për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit iu nënshtruan këtë të enjte testit fizik, të cilët përshkruan me vrap pistën për 2400 m për të testuar aftësitë e tyre fizike.
Ndër 18 garuesit, jo të gjithë e kanë plotësuar kriterin fizik, ndërsa lista me të skualifikuarit dhe ata që do të vazhdojnë fazën e tretë të garës do të bëhet publike të premten.
Ndërsa pritej nisja e testit pas urdhrit të komisionit, Report Tv po xhironte nga jashtë ambientit të repartit RENEA, por grupi i xhirimit nuk u lejua të filmojë më tej duke i kërkuar të largohen dhe duke mos pasur mundësi të pasqyrojnë mediatikisht aftësitë fizike të garuesve.
Pas listës së fituesve të testit fizik më pas kandidatët do t'i nënshtrohen testit me makinën e të vërtetës njohur ndryshe si "poligrafi".
Kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit pritet të përzgjidhet nga një komision i SPAK, në të cilin bëjnë pjesë kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Arben Kraja dhe dy prokurorët Behar Dibra, i cili ishte edhe sot i pranishëm tek testi fizik, si dhe Eneid Nakuçi.
BKH do të jetë struktura mbështetëse hetimore për SPAK.
Në përbërje të saj do të jenë edhe 60 hetues të cilët pas përzgjedhjes do të trajnohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.