Kandidatët presidencialë në Karolinën e Veriut, përpjekje për të fituar përkrahjen e afrikano-amerikanëve

4 Nëntor, 16:37| Përditesimi: 4 Nëntor, 16:40

  • Share

Karolina e Veriut është një nga shtatë të ashtuquajturat shtete të pavendosura që mund të jetë përcaktuese për fituesin e garës presidenciale.

Nënpresidentja Kamala Harris, ish Presidenti Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tyre kaluan shumë kohë duke bërë fushatë në këtë shtet që gjendet në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara.

Afrikano-amerikanët përbëjnë 22 për qind të popullsisë dhe sipas korrespondentit të Zërit të Amerikës, Rafael Saakov ata mund të vendosin se kush i fiton 16 votat e kolegjit zgjedhor të Karolinës së Jugut.

Në prag të ditës së zgjedhjeve, ish Presidenti demokrat Barack Obama shkoi në Karolinën e Veriut për të bërë fushatë për kandidaten demokrate Kamala Harris. Ai fitoi në këtë shtet në vitin 2008 dhe në këtë cikël zgjedhor dëshiron të sigurohet që zonja Harris do të fitojë.

“Jam këtu për një arsye shumë të rëndësishme, që të kërkoj nga ju të votoni për guvernatorin tuaj të ardhshëm dhe për presidenten e ardhshme të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris!” tha ish presidenti amerikan Obama.

Charlotte, qyteti më i madh i Karolinës së Veriut, ka përkrahur kandidatët demokratë në pesë zgjedhjet e fundit presidenciale. Mbi një e treta e banorëve të qytetit janë afrikano-amerikanë, por jo të gjithë janë të përqendruar tek çështjet e njëjta ndërkohë që përgatiten të hedhin votën.

“Çështjet kryesore për mua janë të drejtat e grave, që ato t’i marrin vetë vendimet për trupin e tyre, si dhe për çështjet që kanë të bëjnë me orientimin seksual dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ. Dhe natyrisht, si afrikano-amerikane, është e rëndësishme për mua që të drejtat e njeriut të mbrohen...”, thotë banorja Taylor Marshall.

Për mua është me rëndësi që të ketë përkujdesje për klasat e ulëta – ka shumë gjëra që po ndodhin, siç është heqja e taksave dhe mosndëshkueshmëria e policëve për trajtimin që u bëjnë të rinjve afrikano-amerikanë dhe kjo nuk është e drejtë", thotë një banore tjetër në Charlotte, që u identifikua si Jasmine.

“Cilat janë çështjet e rëndësishme? Për mua kostoja e jetesës është shumë e rëndësishme, mënyra se si jetojmë. Që të na e bëjnë koston më të përballueshme”, thotë Tanya.

Në degën e Partisë Demokrate në Qarkun e Mecklenburgut, në Charlotte, ekipi i fushatës i tha Zërit të Amerikës se deri më 24 tetor, rreth 31 për qind e votuesve afrikano-amerikanë kishin votuar. Organizatorja e Partisë Demokrate për këtë qark, Leah Smart, thotë se ka biseduar me votuesit afrikano-amerikanë që kanë votuar për të dy kandidatët.

“Disa njerëz ndihen që vota e tyre po merret si e mirëqenë, se nuk po vlerësohet sa duhet dhe se nuk po u kërkohet përkrahja ashtu siç ata mendojnë se duhet t’iu kërkohet. Një pjesë e mirë e punës tonë këtu në këtë qark është e përqendruar për ta ndryshuar këtë situatë”, thotë ajo.

Dega e Partisë Republikane në Charlotte refuzoi kërkesën e Zërit të Amerikës për intervistë.

Por kandidati republikan për nënpresident, JD Vance qëndroi këtu së fundmi për të kërkuar votën e afrikano-amerikanëve.

“Në një mënyrë, këto zgjedhje në thelb do të përcaktojnë nëse të krishterët do të kenë mundësinë të jetojnë sipas mësimeve të fesë së tyre, të kërkojnë zbatimin e parimeve të fesë së tyre dhe nëse të krishterëve do t’u lejohet t’i rrisin fëmijët dhe t’i ndërtojnë komunitetet sipas vlerave të tyre”, tha kandidati republikan për nënpresident, JD Vance.

Për republikanët ka qenë historikisht e vështirë të fitojnë përkrahjen e votuesve afrikano-amerikanë. Ish Presidenti Trump fitoi vetëm 8 për qind të votave afrikano-amerikane në vitin 2020, por disa anketa tregojnë se ai po fiton më shumë përkrahje nga ky komunitet në këtë cikël zgjedhor.

Dhe mesazhi fetar iu përshtatet disa votuesve afrikano-amerikanë në Karolinën e Veriut, shumica dërmuese e të cilëve identifikohen si protestantë apo të krishterë evangjelistë.

“Natyra e njerëzve në Karolinën e Veriut është dhe gjithmonë ka qenë e lidhur me identitetin fetar të krishterë. Zoti Trump i përcjell parimet e Biblës në shumë raste”, thotë banori i Karolinës së Veriut, Martin Jackson.

Zoti Obama gjatë fjalimit në Charlotte nënvizoi se asnjë president nuk mund ta zhdukë plotësisht racizmin apo t’i zgjidhë të gjitha problemet, por politika, varësisht kënd vendosin njerëzit ta zgjedhin, mund t’i përmirësojë apo t’i përkeqësojë jetët e njerëzve./VOA

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?