Pandeli Majko

Kandidati i Berishës në Has akuzoi rivalin e PS për blerje votash, Majko: Nuk blihen hasjanët për 'ilaç rrobash'! Haram në Natën e Kadrit

19 Prill 2023, 09:56| Përditesimi: 19 Prill 2023, 10:41

  • Share

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka reaguar mëngjesin e sotëm për denoncimin e bërë nga Miftar Dauti, kandidati i koalicionit Meta-Berisha në Has, i cili akuzonte kandidatin e PS se po përpiqej të blinte votat në qytet duke shpërndarë pako ushqimore.

Majko si drejtues politik i PS në Kukës, i quajti këto akuza një fantazi të kandidatit të koalicionit Meta-Berisha dhe shtoi se diçka e tillë nuk mund të ndodhë në një mbrëmje të shenjtë siç është ‘Nata e Kadrit’.

“Në Has, natën e shenjtë të Kadrit aludimet se kandidati i Partisë Socialiste po blinte vota me 21 pako me ushqime, kanë marrë të tatepjetën! Fantazia nuk ka limit, sa ka media që ju kanë dhuruar sot titullin kryesor! Në se lajmi që në një natë të shenjtë po “blehen” vota do të ishte e vërtetë, ajo në gjuhën e fesë quhet Harram!  “Profesionistët” e blerjes së votës e dinë se kjo, ndodh javën e fundit të fushatës!”-shkruan Majko.

Mes të tjerash, ai thekson se qytetarët hasjanë nuk mund të blihen me detergjentë dhe ilaçe rrobash dhe e mbylli reagimin e tij duke thënë se vetë hasjanët do vendosin me votë në 14 maj.

“Blerja e votës, nuk ndodh në një natë fetare! Vota, nuk blehet një muaj para datës së zgjedhjeve! Nuk blihen hasjanët për “ilac” rrobash! Megjithatë, cdo akuzë ka kuptim edhe kur fyen qëllimin e natës së shenjtë! Për këtë ka një ligj të shkruar! Ai është për cilindo sot edhe nesër!  Hasjanët do vendosin me votë”-përfundon deputeti i PS.

Mbrëmjen e 17 prillit, Miftar Dauti, kandidat i koalicionit meta-Berisha ka bërë një denoncim mbi një furgon me pako ushqimore që sipas tij, djali i Halit Mulajt, kandidatit të PS për këtë bashki, do i shpërndante për qytetarët me qëllim për t’u blerë votat. Policia doli në një njoftim ditën e djeshme, duke bërë me dije se për ngjarjen po merreshin në pyetje dy djemtë e Halit Mulajt dhe magazinieri i bashkisë, pasi u kapën duke ngarkuar pako nga magazina ku mbaheshin rezerva shtetërore. Vetë Halit Mulaj hodhi poshtë akuzat e rivalit të tij politik duke e konsideruar këtë si një ngjarje të ekzagjeruar dhe mohoi që djemtë e tij të ishin përpjekur për blerjen e votave, duke argumentuar se pakot shpërndahen nga bashkia për besimtarët në Natën e Kadrit.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?