Drejtuesi politik i Fierit Gazment Bardhi ka reaguar për mediat pas shoqërimit të kandidatit të listës së PD-së në Fier, Fatjon Semanjaku.
Ai është shprehur në një deklaratë për mediat pas incidentit duke thënë se kandidatët po pengohet të bëjnë fushatë demokratike.
Bardhi thotë se PS bën lirisht fushatë, dhe nga ana tjetër shprehet se partitë e vogla nuk lënë stenda pa vendosur nëpër hapësira publike, por PD-ASHM pengohet të bëjë fushatë lirisht. Në deklaratën e tij Bardhi njofton dhe dy kallëzime penale, një për kryetarin e Bashkisë së Fierit Armando Subashi, që sipas tij nuk ka zbatuar ligjin për të njoftuar PD-në për hapësirat publike që do duhet të disponoj në fushatë dhe një kallëzim të dytë për policët bashkiak, edhe të shtetit që shoqëruan kandidatin e PD-së Semanjaku.
“Kandidati Semanjaku është ndalur fillimisht nga banditë me uniformë të të korruptuarit në krye të Bashkisë Fier, Armando Subashi, që të ushtrojë veprimtarinë e tij elektorale nëpërmjet stendave që janë forma më demokratike në të gjithë botën e komunikimit me qytetarët.
Më pas, përmes një urdhri të paligjshëm dhe një ndërhyrjeje të paligjshme nga Policia e Shtetit, është urdhëruar shoqërimi me dhunë në Drejtorinë e Policisë së Fierit të kandidatit për deputet të partisë më të madhe të opozitës, duke synuar intimidimin e tij dhe pengimin për të ushtruar të drejtën e tij për të bërë fushatë sipas formave që i zgjedh secili kandidat.
Ky akt përbën një tejkalim të pashembullt të ndarjes mes shtetit dhe partisë. Ka vetëm një qëllim: të intimidojë kandidatët e opozitës në javën e fundit dhe vendimtare të zgjedhjeve të 11 majit.
Asnjë nga kandidatët e PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore në Qarkun e Fierit, as intimidohet, as nuk impresionohet nga shkelja brutale e ligjit nga ana e punonjësve të veshur me uniformën e Policisë së Shtetit.
Qëllimi i tyre nuk është të intimidojnë një javë para zgjedhjeve mua apo kandidatët për deputetë, por mes dhunës së ushtruar ndaj kandidatëve për deputetë, ka vetëm një qëllim: të intimidojë dhe frikësojë qytetarët e Qarkut Fier, që të votojnë të lirë dhe të bëjnë zgjedhjen e tyre në mënyrë demokratike pas një jave, në 11 maj.
Sot dua t’i jap një paralajmërim të prerë drejtuesve të Policisë në Qarkun Fier: në mënyrë të përsëritur keni provokuar kandidatët për deputetë të opozitës në Qarkun e Fierit. Në mënyrë të përsëritur, ne kemi të dhëna që i kemi depozituar, që jeni të përfshirë në fushatë për llogari të një kriminale dhe të korruptuare si Belinda Balluku, dhe ky është momenti që duhet të ndërprisni çdo veprimtari të paligjshme ndaj opozitës, qytetarëve dhe mbështetësve të PD dhe të zbatoni me përpikëri vetëm detyrën tuaj dhe ligjin. Hiqni dorë nga metodat dhe format e ngjashme me Sigurimin e Shtetit.
Hiqni dorë nga përdorimi politik për të frikësuar opozitën dhe qytetarët opozitarë, hiqni dorë nga veprimet kriminale.
Pas 11 majit nuk do të ketë as Edi Rama, as Belinda Balluku që t’ju dalë për zot. Dua të dënoj me forcë veprimin e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake. Këto institucione kanë konsumuar veprën penale të pengimit të subjekteve zgjedhore me metoda demokratike që çdo vend i lirë në mbarë botën dhe çdo gangster.Dua të njoftoj se kam depozituar kallëzim penal ndaj kryetarit të Bashkisë Fier, që nuk ka thënë se çfarë hapësirash publike duhet të vendosë PD në Fier. Siç shihet, PS ka reklamë në çdo cep të vendit. Sot, 1 javë nga zgjedhjet, ne nuk kemi asnjë njoftim. Nesër do të dorëzohet edhe kallëzimi për pengimin e subjekteve zgjedhore nga Policia Bashkiake dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, qoftë ndaj drejtuesve të policisë që janë përfshirë në rrëmbimin kriminal të kandidatit. Edhe së fundmi, një apel për kryetarin e bashkisë: gjej njëherë lekët e parkimit të qytetit që nuk e dinë ku kanë shkuar, pastaj hap sytë se ku kandidatët tanë bëjnë fushatë dhe çfarë fushate bëjnë. Bëj mirë t’i gjesh ku i ke lekët, pastaj të shohësh. Disa partiçka të vogla nuk kanë lënë shesh publik pa vendosur tenda, por i vetmi subjekt që rrezikon Edi Ramën është Partia Demokratike dhe AShM, dhe këta janë të vetmit kandidatë që po pengohen të bëjnë fushatë."-tha Bardhi në deklaratën e tij.
Ai ka dënuar me forcë shoqërimin e detyruar nga Policia e Shtetit të kandidatit Semanjaku.
Lajmi kryesor:
Shoqërohet kandidati i Berishës në Fier, kundërshtoi efektivët që po i hiqnin stendën e fushatës! Policia: E vendosi në shkelje të ligjit! PD: Ndalim politik (VIDEO)
H.K/ReportTv.al
