Kandidati i Partisë Demokratike Enton Çaçani, ka thyer heshtjen zgjedhore, pasi ka bërë një denoncim duke akuzuar administratën vendore në Kolonjë për përfshirje në blerje votash dhe presion mbi qytetarët në prag të zgjedhjeve.
Përmes një postimi të shpërndarë në rrjete sociale, Çaçani i bën thirrje urgjente Task-Forcës së SPAK dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse për të ndërhyrë menjëherë dhe për të ndalur, siç e cilëson ai, “krimin elektoral që po ndodh në terren”.
“Thirrje urgjente për Task-Forcën e SPAK! Vëmendje për të gjitha strukturat dhe sidomos për komisionerët tanë! Administrata e Bashkisë Kolonjë po shpërndan para dhe po blen vota. Po intimidon votuesit në këto momente kritike. Si gjithmonë, ndjekin të njëjtin avaz të vjetër, dalin natën, në ditën e fundit, dhe ndajnë parat e krimit dhe korupsionit', tha ai.
Sipas tij, janë bërë përpjekje për të nxjerrë fletët e votimit nga Qendrat e Votimit dhe ka plane edhe për manipulim të procesit edhe gjatë ditës së votimit.
'Janë përpjekur të nxjerrin fletët e votimit nga QV-të dhe po mundohen të manipulojnë procesin. Do përpiqen ta bëjnë dhe nesër gjatë votimit, kështu i kanë planet. I dimë të gjitha. Informacioni vjen i siguruar nga brenda tyre. E kanë parë veten ngushtë, e ndiejnë që po humbin pushtetin. U janë errësuar sytë dhe janë kthyer në hijenat e nates', tha ai.
Komente
