Politikë

Shoqërohet kandidati i Berishës në Fier, kundërshtoi efektivët që po i hiqnin stendën e fushatës! Policia: E vendosi në shkelje të ligjit! PD: Ndalim politik (VIDEO)

4 Maj, 19:51| Përditesimi: 4 Maj, 22:57

  • Share

FIER- Vetëm një javë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kandidati i Sali Berishës në qarkun e Fierit, Fatjon Semanjaku, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier, pasi ka kundërshtuar policët bashkiakë. Këta të fundit, kanë qenë duke hequr një stendë elektorale në qendër të qytetit të Fierit, stendë që mbante emrin e vetë, Semanjakut. Sipas Policisë së Fierit, stenda ishte në shkelje të ligjit elektoral dhe pas shoqërimit Semanjaku është lënë i lirë.

Në një video të siguruar nga Report Tv, dallohet edhe momenti kur kandidati i Berishës në listën e hapur të Fierit, debaton me tone të ashpra me policët e bashkiakë, të cilët nuk i lejon të heqin stendën, ndërsa me zë të lartë dëgjohet t’u thotë “mos e prek me dorë”.

Madje në një pamje tjetër që Report Tv ka siguruar, Semanjaku dallohet teksa kundërshton policët në momentin që ata heqin stendën. Në këtë moment, dallohen një grup efektivësh të Policisë së Fierit që ndërhyjnë për ta shoqëruar në komisariat dhe më pas e kanë lënë të lirë.

Partia Demokratike e ka cilësuar këtë një ndalim politik, ndërsa në komisariat shkoi edhe drejtuesi politik i PS në Fier, Gazment Bardhi. Në një deklaratë paraprake, PD ka akuzuar se Semanjaku është shoqëruar me urdhër politik të Belinda Ballukut.

“Policia e Fierit me urdhër politik të Belinda Ballukut, ka shoqëruar në Komisariat, kandidatin e Partisë Demokratike Fatjon Semanjaku, pse bën fushatë dhe shpërndan fletushka në shesh”, thuhet në reagim.

Por, Policia e Fierit në një deklaratë për mediat sqaron se efektivët bashkiakë, kanë qenë duke hequr stendën e vendosur sot në qendër të qytetit të Fierit, pasi ka qenë në shkelje të ligjit elektoral.

"Rreth orës 18:50, Drejtori i Policisë Bashkiake ka njoftuar te Salla Operative e DVP Fier se një subjekt politik ka vendosur poster në qendër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshton forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri. Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, kanë shoqëruar personin që po kundërshtonte policinë bashkiake, kandidatin për deputet të Partisë Demokratike, shtetasin F. S., i cili është lënë i lirë menjëherë", njoftoi Policia e Fierit.

Drejtuesi politik i PD për qarkun e Fierit, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat sulmoi Policinë duke i quajtur banditë që duan të intimidojnë opozitën.

Gazment Bardhi tha se të gjithë policët që shoqëruan Semanjakun do të përgjigjen penalisht, ndërsa paralajmëroi kallëzim në SPAK edhe për kryebashkiakun Armando Subashi për shpërdorim detyre, pasi sipas Bardhit s’ka zbatuar detyrimin ligjor për të njoftuar PD-ASHM mbi hapësirat publike që duhet të shfrytëzohen për reklamë elektorale.

'Kandidati Semanjaku është penguar fillimisht nga banditë me uniformë të të korruptuarit në krye të bashkisë, Armando Subashi, që të ushtrojë veprimtarinë e tij elektorale përmes stendave që janë forma më demokratike e komunikimit me qytetarë. Ky akt përbën një tejkalim të pashembullt të ndarjes mes shtetit dhe partisë. Ka vetëm një qëllim: të intimidojë kandidatët e opozitës në javën e fundit dhe vendimtare të zgjedhjeve të 11 majit', tha ai. 

Burime bëjnë me dije se një ditë më parë, Policia Bashkiake e Fierit ka hequr një tjetër stendë të Semanjakut, të dyja në shkelje të ligjit elektoral. Vetëm një ditë më parë, Partia Demokratike zhvilloi miting në qarkun e Fierit, ku ishte edhe kreu i PD, Sali Berisha dhe drejtuesi politik Bardhi.

Ora 20:52
Shoqërimi i kandidatit të PD në Fier, Bardhi sulm policisë: Banditë me uniformë që duan të na intimidojnë! Rrëmbim kriminal! Kallëzuam Subashin në SPAK për shpërdorim detyre

 

Drejtuesi politik i Fierit Gazment Bardhi ka reaguar për mediat pas shoqërimit të kandidatit të listës së PD-së në Fier, Fatjon Semanjaku. 

Ai është shprehur në një deklaratë për mediat pas incidentit duke thënë se kandidatët po pengohet të bëjnë fushatë demokratike. 

Bardhi thotë se PS bën lirisht fushatë, dhe nga ana tjetër shprehet se partitë e vogla nuk lënë stenda pa vendosur nëpër hapësira publike, por PD-ASHM pengohet të bëjë fushatë lirisht. Në deklaratën e tij Bardhi njofton dhe dy kallëzime penale, një për kryetarin e Bashkisë së Fierit Armando Subashi, që sipas tij nuk ka zbatuar ligjin për të njoftuar PD-në për hapësirat publike që do duhet të disponoj në fushatë dhe një kallëzim të dytë për policët bashkiak, edhe të shtetit që shoqëruan kandidatin e PD-së Semanjaku.

Kandidati Semanjaku është ndalur fillimisht nga banditë me uniformë të të korruptuarit në krye të Bashkisë Fier, Armando Subashi, që të ushtrojë veprimtarinë e tij elektorale nëpërmjet stendave që janë forma më demokratike në të gjithë botën e komunikimit me qytetarët.

Më pas, përmes një urdhri të paligjshëm dhe një ndërhyrjeje të paligjshme nga Policia e Shtetit, është urdhëruar shoqërimi me dhunë në Drejtorinë e Policisë së Fierit të kandidatit për deputet të partisë më të madhe të opozitës, duke synuar intimidimin e tij dhe pengimin për të ushtruar të drejtën e tij për të bërë fushatë sipas formave që i zgjedh secili kandidat.

Ky akt përbën një tejkalim të pashembullt të ndarjes mes shtetit dhe partisë. Ka vetëm një qëllim: të intimidojë kandidatët e opozitës në javën e fundit dhe vendimtare të zgjedhjeve të 11 majit.

Asnjë nga kandidatët e PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore në Qarkun e Fierit, as intimidohet, as nuk impresionohet nga shkelja brutale e ligjit nga ana e punonjësve të veshur me uniformën e Policisë së Shtetit.

Qëllimi i tyre nuk është të intimidojnë një javë para zgjedhjeve mua apo kandidatët për deputetë, por mes dhunës së ushtruar ndaj kandidatëve për deputetë, ka vetëm një qëllim: të intimidojë dhe frikësojë qytetarët e Qarkut Fier, që të votojnë të lirë dhe të bëjnë zgjedhjen e tyre në mënyrë demokratike pas një jave, në 11 maj.

Sot dua t’i jap një paralajmërim të prerë drejtuesve të Policisë në Qarkun Fier: në mënyrë të përsëritur keni provokuar kandidatët për deputetë të opozitës në Qarkun e Fierit. Në mënyrë të përsëritur, ne kemi të dhëna që i kemi depozituar, që jeni të përfshirë në fushatë për llogari të një kriminale dhe të korruptuare si Belinda Balluku, dhe ky është momenti që duhet të ndërprisni çdo veprimtari të paligjshme ndaj opozitës, qytetarëve dhe mbështetësve të PD dhe të zbatoni me përpikëri vetëm detyrën tuaj dhe ligjin. Hiqni dorë nga metodat dhe format e ngjashme me Sigurimin e Shtetit.

Hiqni dorë nga përdorimi politik për të frikësuar opozitën dhe qytetarët opozitarë, hiqni dorë nga veprimet kriminale.
Pas 11 majit nuk do të ketë as Edi Rama, as Belinda Balluku që t’ju dalë për zot. Dua të dënoj me forcë veprimin e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake. Këto institucione kanë konsumuar veprën penale të pengimit të subjekteve zgjedhore me metoda demokratike që çdo vend i lirë në mbarë botën dhe çdo gangster.

Dua të njoftoj se kam depozituar kallëzim penal ndaj kryetarit të Bashkisë Fier, që nuk ka thënë se çfarë hapësirash publike duhet të vendosë PD në Fier. Siç shihet, PS ka reklamë në çdo cep të vendit. Sot, 1 javë nga zgjedhjet, ne nuk kemi asnjë njoftim. Nesër do të dorëzohet edhe kallëzimi për pengimin e subjekteve zgjedhore nga Policia Bashkiake dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, qoftë ndaj drejtuesve të policisë që janë përfshirë në rrëmbimin kriminal të kandidatit. Edhe së fundmi, një apel për kryetarin e bashkisë: gjej njëherë lekët e parkimit të qytetit që nuk e dinë ku kanë shkuar, pastaj hap sytë se ku kandidatët tanë bëjnë fushatë dhe çfarë fushate bëjnë. Bëj mirë t’i gjesh ku i ke lekët, pastaj të shohësh. Disa partiçka të vogla nuk kanë lënë shesh publik pa vendosur tenda, por i vetmi subjekt që rrezikon Edi Ramën është Partia Demokratike dhe AShM, dhe këta janë të vetmit kandidatë që po pengohen të bëjnë fushatë."-tha Bardhi në deklaratën e tij. 

Ai ka dënuar me forcë shoqërimin e detyruar nga Policia e Shtetit të kandidatit Semanjaku.

Ora 20:44
Shoqërimi i kandidatit të PD, Bardhi ‘kërcënon’ policët: Me ju do merrem personalisht (VIDEO)

 

Gjatë shoqërimit në komisariat të kandidatit për deputet të Partisë Demokratike në Fier, Fatjon Semanjaku, i pranishëm ka qenë edhe drejtuesi politik i PD-së për qarkun Fier, Gazment Bardhi, i shoqëruar nga deputeti Luan Baçi.

Në pamjet e siguruara nga Report TV, Bardhi shihet duke folur me tone të larta ndaj efektivëve të policisë.

"Me ju do merrem personalisht! Mbylle! Guxoni dhe merrni një kandidat për deputet," dëgjohet të thotë Bardhi në video.

Ora 20:42
Shoqërimi i kandidatit të PD Fatjon Semanjaku, policia e Fierit: Stenda e vendosur në kundërshtim me ligjin

1746385227_Sequence01.02091309.Still252.jpg

Pasi kandidati i Partisë Demokratike në Fier, Fatjon Semanjaku, u shoqërua në Komisariatin e Policisë Fier, pasi kundërshtoi policët bashkiakë teksa po hiqnin një stendë në qendër të qytetit ka ardhur një reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Policia bënë me dije se posteri i vendosur në qëndër të qytetit është në kundërshtim me ligjin.

'Në lidhje me një lajm të publikuar për shoqërimin në Komisariat të shtetasit F. S. (Kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), sqarojmë se: Rreth orës 18:50, Drejtori i Policisë Bashkiake ka njoftuar te  Salla Operative e DVP Fier se një subjekt politik ka vendosur poster në qëndër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshton forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri.

Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, kanë shoqëruar personin që po kundërshtonte policinë bashkiake, kanditatin për deputet të Partisë Demokratike, shtetasin F. S., i cili është lënë i lirë menjëherë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier siguron subjektet politike dhe qytetarët se shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar e goditur paligjshmëritë si dhe për të garantuar rendin e sigurinë.

Ora 20:20
‘Mos më prek me dorë’, momenti kur shoqërohet në polici kandidati i PD-së Fatjon Semanjaku (VIDEO)

 

Report Tv dhe Shqiptarja.com kanë siguruar momentin kur është shoqëruar në polici kandidati i Partisë Demokratike në Fier, Fatjon Semanjaku.

Ai ka kundërshtuar policët bashkiakë teksa po hiqnin një stendë në qendër të qytetit, ndërsa gjatë shoqërimit u ka thënë policëve: ‘Mos më prekni me dorë’.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dritan: 04/05/2025 21:19

    Tokë e xanun ne mes te qytetit Kete politike frymezon Sali Berisha..

    Përgjigju
  • Sako: 04/05/2025 21:15

    Nqs ligji e ndalon, per te stendat e partive, semanjaku skishte pse te kundershronte, po me sa duket e ka vendosur per tu bere kjo qe u be se i duhet vemendje

    Përgjigju
  • Polic #: 04/05/2025 20:53

    Pse nuk merret policia bashkiake me këtë punë?!

    Përgjigju
    • Sako: 04/05/2025 21:29

      E lexon ti, qe ka vajtur policia bashkiake dhe e ka kundershtuar, dhe kane thirur rendin pastaj

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?