Kandidati prorus, Cailn Georgescu, ka marrë një epërsi të papritur në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë, me rezultatet paraprake që e vendosin Marcel Ciolacu, rivalin e tij pro-evropian në vendin e dytë.
Me 96% të votave të numëruara, ultranacionalisti Calin Georgescu ishte 22%, dhe Marcel Ciolacu, kryeministri, kishte 20%, sipas Byrosë Qendrore Zgjedhore.
Georgescu i cili bëri fushatë kryesisht në platformën e mediave sociale TikTok, erdhi si surpriza më e madhe e zgjedhjeve.
Georgescu, nuk i përket asnjë partie - është betuar se do t'i japë fund asaj që ai e quan nënshtrim ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, veçanërisht për mbështetjen për Ukrainën.
Rezultati përfundimtar i këtij raundi do të shihet gjatë orëve në vijim ku priten të numërohen votat nga kryeqyteti Bukureshti dhe nga diaspora e madhe rumune.
Në sondazhin e një dite më parë (24 nëntor) Ciolacu kishte një epërsi, teksa thuhej se kandidatja e qendrës së djathtë, Elena Lasconi, do të zinte vendin e dytë.
Megjithatë, shifra aktuale e vendos Lasconin në vendin e tretë me 18%, dhe një tjetër nacionalist, George Simion, në të katërtin.
Presidenti në Rumani ka një rol kryesisht simbolik, por një ndikim të konsiderueshëm në fusha të tilla si politika e jashtme, shkruan BBC.
Pjesëmarrja e votuesve ishte 51%, e ngjashme me shifrën e pesë viteve më parë.