Taulanda Jupi dhe Lulzim Basha

Politikë

Kandidatja e Bashës i drejtohet Ramës: Burrat shqiptarë nuk janë çyrykë, janë heronjtë tanë të heshtur

22 Prill, 18:02| Përditesimi: 22 Prill, 18:11

  • Share

Kandidatja për deputete në zgjedhjet e 11 majit, Taulanda Jupi, ka reaguar me indinjatë pas deklaratave të përsëritura të kryeministrit Edi Rama, i cili në një dalje publike e quajti burrin shqiptar “çyryk”, një term denigrues që ka shkaktuar zemërim dhe zhgënjim të thellë në opinionin publik.

Jupi thotë se kjo gjuhë përçarëse nuk i shërben as shoqërisë, as fushatës, as dinjitetit të qytetarëve shqiptarë.

“Të quash burrat shqiptarë ‘çyrykë’ nuk është vetëm një fyerje. Është një akt i ulët përçarjeje. Është mungesë respekti për themelin mbi të cilin është ndërtuar shoqëria shqiptare: familja, puna, sakrifica dhe nderi,” u shpreh Jupi.

Ajo theksoi se burrat shqiptarë janë heronj të heshtur të jetës së përditshme: 

“Ata që punojnë në miniera, që ndërtojnë qytetet tona, që mbajnë sipërmarrjet gjallë, që mbrojnë rendin dhe ligjin, që rrisin fëmijët me mundin dhe djersën e tyre. Ata nuk janë objekte propagande elektorale, janë njerëz të respektuar dhe kontribuues të shoqërisë sonë.”

Jupi denoncoi përpjekjen sistematike të kësaj qeverisjeje për të krijuar ndarje të brendshme në shoqëri, tashmë deri edhe brenda vetë familjes shqiptare.

“Pas ndarjes mes qytetit e fshatit, të rinjve e të moshuarve, veriut e jugut, tani Edi Rama ka hyrë në familje për të përçarë burrat dhe gratë,” tha ajo në faqen e saj në Facebook .

Ajo shtoi se Shqipëria nuk ka nevojë për ndarje, por për bashkim, për politika që i japin fuqi dhe dinjitet çdo qytetari, burri apo gruaje, që përpiqet të ndërtojë një jetë më të mirë në vendin e tij.

“Ne nuk do t’i ndajmë shqiptarët në gra dhe burra. Por do t’i bashkojmë në një projekt të përbashkët për arsim, kulturë, punë dhe dinjitet. Shqipëria nuk ndërtohet me përçarje. Ndërtohet me respekt, me vlera dhe me punë,” përfundoi Jupi.

H.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?